ELSEID HYSAJ
Hysaj: Jemi të përgatitur për Izraelin, kërkojmë kualifikimin
10 November, 2016 @16:44
Futbollisti i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, sot ka qenë prezent në konferencën për shtyp, ku ka folur për ndeshjen kundër Izraelit që do të luhet më 12 nëntor në stadiumin Elbasan Arena.
Hysaj tha se janë përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje, ndërsa zhvendosja e ndeshjes nga Shkodra në Elbasan nuk beson që do të paraqet problem për futbollistët.
”Është një ndeshje shumë e vështirë sepse Izraeli siç e dijmë gjithnjë nuk ka qenë një skuadër e lehtë për t’u përballuar. Besoj që jemi duke u përgatitur shumë mirë dhe ndeshja që u zhvendos nuk besoj që për ne futbollistët do të ketë problem. Mjafton të jetë siguria për gjithë njerëzit që vijnë, ta shikojnë ndeshjen qetë dhe të jenë të kënaqur me gjithë ndeshjen. Por për ne futbollistët nuk besoj që ndikon shumë. Duhet të rrijmë të koncentruar, ta ndëgjojmë atë që na thotë trajneri dhe pastaj do të shohim.”
Më tej, ai tha se do të dalin të shtunën në fushë për të fituar, ndërsa për ndeshjen e fundit të humbur ndaj Spanjës, u arsyetua duke e pasur parasysh cilësinë e kundërshtarit.
“Gjithë skuadrat e mëdhaja gjithmonë duan të fitojnë. Ne jemi profesionista dhe besoj që gjithë jemi përgatitur për ndeshjen shumë mirë, jemi duke u përgatitur akoma, ku me ndihmën e trajneri dhe stafit, e kemi shikuar cilësitë e çdo lojtarit të Izraelit. Janë një skuadër e fortë, por ne jemi në rritje dhe besoj se do t’i përballojmë mirë.
Me Spanjën ishte ndeshje e vështirë. Gjithë e dijnë se Spanja është një prej skuadrave më të forta në botë dhe ne i përballuam shumë mirë. Besoj që jemi të përgatitur dhe pastaj do të shohim se si do të shkojnë punët të shtunën,” tha Hysaj.
Për fund, ai tha se qëllimi kryesor i skuadrës është kualifikim në Rusi, ndërsa shtoi se kjo mund të arrihet sikurse është arritur kualifikimi në Francë.
“Ne e dijmë shumë mirë që, një skuadër kalon dhe e dyta e luan play-offin. Objektivi ynë është të shkojmë në Rusi, ashtu siç e kemi arritur objektivin e Francës. Gjithë mendojnë se është e pamundur dhe nuk do të arrijmë, por ne e kemi treguar një herë që mund të arrijmë dhe me këtë skuadër që kemi do të mundohemi që së pari ta kalojmë me sukses Izraelin dhe pastaj të shohim ndeshjet tjera për të arritur kualifikimin.”