AZDREN LLULLAKU
Llullaku: Mendjen e kemi te 3 pikët
10 November, 2016 @17:07
Sulmuesi kuqezi, Azdren Llullaku, në konferencën e sotme për shtyp foli në lidhje me ndeshjen Shqipëri - Izrael, që do të luhet më 12 nëntor në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Llullaku tha se ndjehet mirë dhe është i gatshëm për të luajtur dhe për ta ndihmuar skuadrën.
“Jam i përgatitur fizikisht njëqind për qind dhe jam në formë të mirë. Se kush do të futet në fushë është punë e trajnerit. Unë jam në dispozicion të tij dhe besoj që do të luaj, pasi që kam ardhur këtu për të luajtur dhe për ta ndihmuar kombëtaren.
Mendoj se është një ndeshje e vështirë për ne, por jemi të përgatitur mirë dhe kemi bërë stërvitje shumë të mira, si dhe jemi të përgatitur edhe fizikisht.”
Llullaku, i cili po luan me skuadrën rumune Gaz Metan, është duke kaluar formë shumë të mirë dhe është golashënuesi më i mirë aktualisht në Rumani, ndërsa shpreson të shënojë edhe me kombëtaren.
“Në Rumani është një moment shumë i mirë për mua. Në fushë nuk mendoj për gol, mendoj ta ndihmoj sa ma shumë ekipin, por nëse vjen goli është një gjë shumë e mirë dhe shpresoj që do të vjen edhe ky moment te kombëtarja.”
Për fund, sulmuesi tha se skuadra është duke menduar vetëm për ndeshjen me Izraelin dhe për 3 pikët.
“Duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Na duhen tri pikë dhe kur të përfundon kjo ndeshje tani do të mendojmë për të ardhmen. Mendoj se mendja jonë dhe e gjithë lojtarëve është për ndeshje e së shtunës dhe për tri pikë,” përfundoi ai.