PARA NDESHJES
Amir Rrahmani: Mbrojtje dhe kundërsulme
12 November, 2016 @12:08
Qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, mendon se Kosova mund t’ia dalë ndaj Turqisë nëse luan sigurt prapa. E pastaj, me kundërsulme të kërkojë golin.
Kosova sot në ora 18 me kohën tonë luan ndaj Turqisë në Antalya, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin Rusia 2018.
“Kemi ndeshje të vështirë si çdo ndeshje tjetër në këtë grup. Të gjithë e njohim Turqinë, ka ekip të mirë dhe individë shumë të mirë,” ka thënë fillimisht 22 vjeçari.
“Duhet të luajmë sigurt prapa dhe ta rrezikojmë Turqinë përmes kundërsulmeve. Raste do të kemi sikurse kemi pasur edhe në ndeshje tjera, por ato duhet t’i shfrytëzojmë,” ka thënë Rrahmani për Kohën Ditore para ndeshjes.
Kosova ka 1, ndërsa Turqia 2 pikë në Grupin I kualifikues. Asnjëra ende s’ka shënuar fitore.