Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ULPIANA 2-1 2 KORRIKU

Ulpiana bëhet lidere me fitore ndaj 2 Korrikut

Ulpiana bëhet lidere me fitore ndaj 2 Korrikut


14 September, 2022 @14:42

Skuadra e Ulpianës e drejtuar nga trajneri Emin Bajrami ka marrë lidershipin e Ligës së Parë Grupi B me anë të fitores së shënuar të martën në përballjen e zhvilluar në Sami Kelmendi ndaj 2 Korrikut.

Lipjanasit me golin e Ahmetit mbyllën pjesën e parë në epërsi, ndërsa në pjesë të dytë edhe pse mbetën kah fundi me një lojtar më pak, nuk u dorëzuan dhe siguruan fitoren, Ulpiana 2-1 2 Korriku [Elvis Ahmeti 30, Shqiprim Kelmendi 67 - Miftar Avdiu 73].

Ndeshjen më mirë e nisën vendësit e Ulpianës që kryesisht rrezikonin përmes harkimeve, e të cilët edhe golin e arritën të parët, saktësisht në minutën e tridhjetë, kur Elvis Ahmeti nga brenda zonës realizoi për 1:0.

Ani pse në disavantazh, pjesa e parë nuk e pa 2 Korrikun edhe aq të rrezikshëm, e për rrjedhojë edhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Shumë më interesante e me më shumë ritëm ishte pjesa e dytë, e cila dhuroi shumëçka, duke nisur nga rastet për gol e deri te kartoni i kuq për skuadrën vendëse.

Fraksioni i dytë ishte shumë më i mirë për 2 Korrikun, ndërsa Ulpianën e pa të vendosur prapa, e cila sërish arriti të shënoj përmes ish-futbollistit “verdheblu”, Shqiprim Kelmendi, në minutën e 67’.

Si rrodhën gjërat, për skuadrën kryeqytetase, goli i pësuar ndikoi për të mirë, sepse që nga ajo minutë u pa një skuadër shumë më ndryshe, skuadër që krijoi shumë, e vetëm gjashtë minuta më pas e arriti golin përmes të riut Avdiu, që më së miri e shfrytëzoi tollovinë e krijuar në zonën vendëse dhe realizoi për ta ngushtuar epërsinë në 2:1.

Natyrisht se skuadra e drejtuar nga Besim Ademi nuk mund të ishte e kënaqur me një gol e të mbetej në disavantazh, dhe kjo bëri që ekipi të sulmoj pareshtur e të tentoj shumë që rrezikun kryesor ta ketë nga krahët me futbollistë si Latifi, Bajrami e Zeqiri, për të cilët pati vend në pjesën e dytë, e të cilët me depërtimet e tyre dhe topat e dërguar në zonë, arritën që të rrezikojnë e të vënë në presion mbrojtjen e Ulpianës, por nuk e arritën konkretizimin që më shumë e dëshironin se sa i afroheshin.

2 Korriku lehtë mund të dilte me një pikë nga qyteti i Lipjanit, me skuadrën nikoqire që plot trembëdhjetë minuta të rregullt të ndeshjes i zhvilloi me një lojtar më pak. Megjithatë, skuadrën mysafire nuk e ndihmoi as epërsia numerike, sidomos në minutat shtesë, kur tollovitë e krijuara në zonën e “lipjanasve” gjithmonë përfundonin në të mirë të vendësve.

Minuta e nëntëdhjetë e pestë shënoi edhe fundin e ndeshjes, me gjyqtarin Haxhimustafa që mbylli ndeshjen e me 2 Korrikun që pësoi humbje sërish.

Vlen të përmendet se në duelin e sotëm, për “verdheblutë”, debutoi Lekë Zeqiri, futbollisti i cili dy vite më parë iu është bashkuar juniorëve të 2 Korrikut nga Shkolla e Futbollit “Besëlidhja”, e i cili sot e pati rastin që të paraqitet me seniorët, për çka u shpreh shumë i lumtur që më në fund arriti që ta ketë një mundësi të tillë.

Skuadra kryeqytetase rikthehet në aksion në fundjavën që po vie, teksa do të udhëtoj për t’u përballur me Fushë Kosovën, ndërsa pastaj do të jenë dy javë pushim, si shkak i ndeshjeve të kombëtareve.



i:

Formacioni startues i Ulpianës: A. Beqiri, F. Gërbeshi, R. Gërbeshi, L. Prapashtica (M. Ajeti 46’), L. Gashi (Sh. Kelmendi 56’), A. Sadriu, E. Baftiu (L. Rexhepi 61’), E. Ademi, A. Arifi (L. Tasholli 46’), E. Ahmeti, A. Murati (J. Xhigoli 55’). Kryetrajner: Emin Bajrami.

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, P. Osmani (F. Bajrami 46’ – L. Zeqiri 68’), Y. Prekopuca (E. Musolli 77’), A. Shahini, V. Ibrahimi, A. Oruqi (kap.) (R. Arifi 22’), B. Shala, L. Jetullahu, Sh. Aliti (g. Latifi 46’), M. Avdiu, R. Jashari. Kryetrajner: Besim Ademi.

 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë