ARMANDO VAJUSHI
Vajushi pranon interesimin e Monacos
10 May, 2014 @10:57
Ditë më parë në media të ndryshme vendore dhe të huaja është spekuluar se gjiganti françez, Monaco, ka shprehur interesim për ta transferuar futbollistin shqiptar të Litex Lovech, Armando Vajushi.
Këto thashetheme i ka pranuar e janë të vërteta edhe vetë futbollisti, i cili tha se do të ishte një ëndërr e realizuar po qe se do të luante përkrah një lojtari siç është Falcao në skuadrën e Monacos.
“Po, është e vërtetë. Menaxherë të Monacos më kanë ndjekur mua dhe një lojtar tjetër të Litexit në disa ndeshje, por nuk do t’ju jap detaje, pasi nuk më kanë kontaktuar mua direkt. Edhe këto që po ju them, janë fjalë që i kam dëgjuar nga kolegë të mi dhe në gazeta,” tha Vajushi për të përditshmen sportive të Shqipërisë, Panorama Sport.
“Monaco është një superklub dhe do ta kishte ëndërr çdo lojtar që të luante përkrah Falcaos dhe jo vetëm. Por, e dini fortë mirë se këto gjëra nuk varen vetëm nga vullneti im…,” shtoi 22 vjeçari.
Siç mësohet nga futbollisti, edhe skuadra e tij aktuale, Litex Lovech, është e interesuar ta shes atë, pasi që kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin e ardhshëm dhe në qoftë se nuk shitet sivjet, vitin tjetër do të mund të largohej pa përfituar klubi asnjë cent, ndërsa përveç Monacos, një tjetër skuadër e interesuar për transferimin e tij është edhe skuadra belge, Club Brugge.
Mesfushori ofansiv këtë stinor ka shënuar 8 gola dhe 9 asistime në 22 ndeshje sa i ka zhvilluar në kampionatin bullgar.