1/4: REPUBLIKA ÇEKE - DANIMARKA
Vazhdon ëndrra daneze, arrihet gjysmëfinalja
3 July, 2021 @20:04
Përfaqësuesja e Danimarkës, e cila e fitoi simpatinë e të gjithëve që në ndeshjen e parë pas rastit “Eriksen”, tash e sheh veten në mesin e katër më të mirave të kampionatit evropian. Herën e fundit që Danimarka e kishte arritur gjysmëfinalen ishte në vitin 1992, vit në të cilin kjo përfaqësuesja e kishte fituar kampionatin evropian.
Sonte Danimarka në çerekfinale e eliminoi Republikën Çeke, duke e mposhtur 1-2, për ta arritur kështu gjysmëfinalen e EURO2020.
Ndeshja filloi mjaft mirë për danezët, të cilët shënuan menjëherë me Delaney (5’), e pak para fundit të pjesës së parë erdhi edhe goli i dytë. Këtë herë golshënues ishte Dolberg (42’) dhe kështu Danimarka shkoi në pushim me epërsi të dyfishtë.
Pjesa e dytë filloi vrullshëm për çekët, që menjëherë u gjuajtën në sulm për gol. Dy herë brenda dy minutave të parë të pjesës së dytë golin çekëve ua mohoi Schmeichel, por gjuajtja e Schick në minutën e 49’ nuk u ndal dot dhe Çekia menjëherë e hapi pjesën e mbetur të ndeshjes.
Megjithatë, momentumin e krijuar pas golit të shënuar shpejt çekët nuk mund ta shfrytëzonin për të shënuar prapë. Danezët u mbajtën mirë deri në fund dhe e mbyllën ndeshjen me fitore 1-2, për të shkuar kështu në gjysmëfinale.
Sa i përket statistikave personale, me golin e shënuar sot, çeku Schick ngjitet në listën e top-golashënuesve të evropianit. Ai ka 5 gola, aq sa ka edhe Cristiano Ronaldo.
Në gjysmëfinale Danimarka do të takohet me fituesin e duelit mes Ukrainës dhe Anglisë, duel i cili luhet sonte me fillim nga ora 21.00.