SULMUESI I KOSOVËS
Vedat Muriqi: Festa mbaron këtu! Ndaj Suedisë për pikë të plota
24 March, 2021 @23:10
Sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi, ka shënuar një gol sonte në fitoren e ekipit të Kosovës ndaj Lituanisë në miqësore, të cilën Dardanët e fituan thellë, 4-0.
Muriqi, menjëherë pas ndeshjes për mikrofonin e RTK-së ka thënë se kjo fitore ka qenë shumë e rëndësishme për të ngritur moralin e ekipit.
“Ka qenë fitore shumë e rëndësishme. Kjo do të ngris nivelin e atmosferës në ekip. Nuk po them që s’është atmosfera e mirë, por do ta ngrit edhe më shumë,” ka thënë fillimisht sulmuesi që luan te Lazio.
“Sa i përket kësaj loje, festa mbaron sonte. Shkojmë të gëzuar në hotel për të menduar për dy ndeshjet e rëndësishme që na presin. Me Suedinë luajmë për pikë të plota, ndërsa në Spanjë nuk po shkojmë të dorëzuar,” ka thënë Muriqi.