KOSOVA - LITUANIA
Kosova shkëlqen, testi para Suedisë kalon me sukses
24 March, 2021 @22:29
Përfaqësuesja e Kosovës e ka kaluar me shumë sukses testin e vetëm para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Dardanët shënuan fitore me rezultat të thellë 4-0, duke e mposhtur përfaqësuesen e Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Rasti i parë në ndeshje erdhi nga ekipi kundërshtar i cili rrezikoi që në minutën e pestë, por jo edhe aq sa për ta befasuar portierin dhe kapitenin tonë, Samir Ujkanin.
Menjëherë më pas edhe Vedat Muriqi rrezoi duke goditur me kokë, por topi shkoi në duart e portierit lituanez.
Kosova filloi ta marrë kontrollin e lojës nga minuta 15’ e ndeshjes, kur me pasimet të shpeshta dhe të shkurtëra u kërkuan hapësirat e zbrazëta në mbrojtjen kundërshtare.
Akulli i krijuar në mbrojtjen e Lituanisë u thye në minutën 27’ kur Arbër Zeneli shënoi për epërsinë 1-0 të Kosovës. Ky gol në fakt ishte edhe i vetmi i pjesës së parë.
Pjesën e dytë trajneri Bernard Challandes e nisi me tri zëvendësime, duke e inkuadruar në lojë Idriz Vocën, Leart Paqaradën dhe Besar Halimin, në vend të treshes Valon Berisha - Fidan Aliti - Bersant Celina.
Këto zëvendësime dhanë freski në lojën e Kosovës, e cila në pjesën e dytë shënoi edhe 3 gola të tjera.
Së pari Vedat Muriqi shënoi për 2-0 në minutën 63’ të ndeshjes, pasi u asistua bukur nga Milot Rashica, ndërsa më pas, në minutën 71’ Arbër Zeneli doli përsëri në skenë duke shënuar golin e tij të dytë dhe të tretin për ekipin e tij në këtë ndeshje.
Rezultatin përfundimtar e përcaktoi Besar Halimi, që shënoi në minutën 79’ për 4-0.