VËLLAZNIMI - DARDANËT

Fotot: KBVellaznimi/fb
Vëllaznimi pa telashe ruan lidershipin
29 October, 2021 @22:27
Vëllaznimi i Gjakovës ka shënuar edhe fitoren e tretë me radhë në Ligë të Parë, kësaj radhe shumë më lehtë, pasi që përballë kishin skuadrën klinase, Dardanët.
Të drejtuar nga Franko Sterle, gjakovarët epërsinë e thellë e krijuan pas 10-minutave të para lojë dhe më pas nuk shikuan më mbrapa, për të shënuar fitore me 37 pikë dallim 95-58 [31-11, 19-17, 21-21 dhe 24-9].
Prizrenasi Ujkan Karanezi ka qenë më efikasi te Vëllaznimi sonte, duke shënuar 23 pikë në fitore, shto këtu edhe 7 kërcime të regjistruara. Pos tij, reprezentuesi Atik Koshi ka kryer ndeshjen me double-double duke dhënë 19 pikë e 15 kërcime, ndërsa 16 pikë tjera ka dhënë Rron Dahsyla për të arritur te kjo fitore e thellë.
Kroati Sterle në këtë ndeshje i ka dhënë mundësi të gjithë lojtarëve që të paraqiten në parket, ndërsa pothuaj të gjithë kanë shënuar pikë, derisa dominimin nën kosh e ka kryer përvoja e Superligës me Besnik Azemin, që ka regjistruar 18 kërcime krahas 5 asistimeve dhe 9 pikëve në fitore.
Dardanët në anën tjetër, që po kalojnë stinorin debutues në Ligë të Parë të Kosovës në basketboll, kanë luajtur tërë ndeshjen me pesë lojtarë. Nicholas Paul ka qenë më efikasi aty me 18 pikë, ndërsa 16 pikë të tjera ka shënuar Mirlind Fekaj, që ka regjistruar edhe 9 kërcime.
Me këtë fitore kuqezinjtë bëjnë bilansin 3-0 dhe mbajnë lidershipin edhe më tutje në Ligë të Parë, ndërsa Dardanët do të kenë punë me trajnerin Bojaj për të bërë, ashtu që të shpëtojnë stinorin debutues në Ligë të Parë.