I KTHEHEN FITORES
Vjosa i kthehet fitores, përmbys Ramiz Sadikun
4 October, 2023 @23:07
Pas humbjes së parë dhe të papritur në xhiron e kaluar nga Flamurtari, ekipi i Leotrim Krasniqit, Vjosa, i është kthyer fitores sot në Shtime, ndërsa ka rikthyer rezultatin në favor të vetin brenda 10 minutave lojë për të fituar tre pikëshin dhe për të regjistruar fitoren e pestë sezonale.
Pasi që pjesa e parë kishte përfunduar pa gola, në pjesë të dytë në kërkim të golit të dyja skuadrat, por Ramiz Sadiku i befason vendasit që prisnin golin, duke shënuar me Eurenit Krasniqin nga një kundërsulm i shpejt duke i zënë vendasit 4 me 1 në mbrojtje për të shënuar. Gëzim i madh te tabori mysafir, ndërsa vendasit u sulën krejtësisht në sulm për të kërkuar pikë.
E këtë e arritën shpejt. Së pari Albinot Komzani barazoi, nga afërsia në tollovi pas krosimit, e kur kishin kaluar 10 minuta nga epërsia e Ramiz Sadikut, ka qenë Astrit Fazliu që përmbysi gjithçka, duke u gjet më së miri në zonë pas krosimit nga e djathta, për t’ia sjellë fitoren Vjosës. Vjosa 2-1 Ramiz Sadiku [Albinot Kozmaqi 70’, Astrit Fazliu 74’ - Eurenit Krasniqi 64’].
Fitorja mban Vjosën në garë për pozitat e para në renditje, ndërsa ekipi tash ka 16 pikë prej 7 ndeshjeve, 2 më pak se dyshja kryesuese Prishtina e Re dhe Ulpiana. Në anën tjetër Ramiz Sadiku pësoi për herë të katërt këtë stinor dhe tash ka 7 pikë nga 7 ndeshje për të mbyllë xhiron në pozitë të gjashtë.