Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE PËR SIGURI

Vjosa mposht 2 Korrikun si mysafir

Foto: Vjosa & 2Korriku

Vjosa mposht 2 Korrikun si mysafir


Teksti: 2korriku.com

2 April, 2023 @14:53

2 Korriku nuk arriti të këndellet – as si vendës. Ishte Vjosa, skuadra e renditur si e katërta e grupit “B” të rangut të dytë të garave në futbollin kosovar që “verdhebluve” ua shkaktoi humbjen e dytë radhazi, pas asaj në “Xhemail Ibishi”, dy javë më parë.

Besim Ademi me të besuarit e tij i dhanë herët shenjat se çka do të kërkojnë nga takimi, mirëpo përkundër tentimeve të shumta në pjesën e parë, “planet” nuk shkuan sipas parashikimeve.

Vjosa e nisi duelin me një “shfrenim të fantazisë” nga Tërshana, i cili kërkoi befasinë nga diku rreth tridhjetë metra largësi, por goditja e tij shkoi atje ku ndoshta edhe shumë kush e priste – bukur larg portës – kjo ndoshta edhe për faktin se veprimi i tij u pa si shumë i nxituar.

Në fakt, nismën e ndeshjes e mbyllën me kaq “shtimjanët”; ndeshjen “në dorë” e morën vendësit. Harkimin e rivënies së parë këndore për 2 Korrikun e bëri kapiteni Oruqi, e topin e dërguar nga ai në zonë për pak sa nuk e çoi në portën e tij kapiteni i mysafirëve, Livoreka, ani pse dyshimet se topi e ka kaluar ekzistuan, por gjyqtari Gashi nuk ishte i atij mendimi.

2 Korriku vs. Vjosa

Gabimet e mysafirëve nuk u ndalën; qendra e mbrojtjes e përbërë nga Selimi e Guri e “vendosën” në rast të mirë për gol futbollistin Camara, që tentoi parabolën, por topi shkoi përmbi portë.

Mungesa e vëmendjes mund t’u kushtonte sërish “shtimjanëve”. Lebbie i 2 Korrikut mori me sukses topin nga mbrojtja mysafire, e dërgoi topin tek Camara që goditi zhagas, mirëpo topi shkoi shumë pranë kornizës së portës. Rezultati mbeti i njëjtë.

Pas më pak se një minuti, mysafirët fituan një top afër zonës së rrezikshme të 2 Korrikut, pasuan topin tek sulmuesi Ymeri i cili pa pritur goditi fuqishëm dhe mposhti portierin Neziri për të dërguar shifrat në 0:1. Si një ish i “verdhebluve”, Drin Ymeri vendosi të mos festoi për golin.

Sulmuesi i skuadrës së kryetrajnerit Krasniqi nuk e mbylli me kaq. Katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt të pjesës së parë, Ymeri u shfaq sërish. Kësaj radhe, harkimin e Fejzullahut, Drini e dërgoi prapa shpinës së portierit vendës. Sulmuesi nuk festoi sërish – gjest për t’u respektuar.

Me dy gola epërsi, fraksioni i parë i ndeshjes u mbyllë.

Pjesa e dytë nisi siç çdo kush do ta mendonte – me 2 Korrikun në sulm. Në fakt kjo mënyrë rezultoi e suksesshme, sepse zëvendësuesi Avdiu shënoi pas vetëm tre minutave lojë – ngushtoi shifrat dhe i dha gjallëri ndeshjes.

Motivimi sikur u rritë tek skuadra e drejtuar nga Besim Ademi. Skuadra vendëse nisi të angazhohet edhe më shumē, por për pak sa nuk pësoi në minutën e pesëdhjetë e tretë, kur harkimin nga rivënia këndore për pak sa nuk e dërgoi në rrjetë njëri prej futbollistëve mysafirë.

Me këtë rast, Vjosa mbylli rastet e veta në ndeshje. Ndeshjen nisi ta dominoi 2 Korriku; më “aktivi” u tregua shtatgjati Avdiu.

2 Korriku vs. Vjosa

Luhej minuta e pesëdhjetë e gjashtë kur Avdiu tentoi me goditje akrobatike, mirëpo topi shkoi mbi kuadrat.

Katërmbëdhjetë minuta më pas, sulmuesi Avdiu u shfaq sërish, kaloi për mrekulli tre nga futbollistët “shtimjanë” dhe goditi, por portieri Azemi ia mohoi golin e dytë.

Dyshja e inkuadruar në pjesën e dytë tek 2 Korriku, Gashijan-Avdiu, gjallëroi fazën sulmuese. Ishte pikërisht 16-vjeçari Gashijan që e asistoi për mrekulli Avdiun, që tentoi parabolën nga vija e zonës së gjashtëmbëdhjetë metërshit, por topi sërish shkoi mbi portë

Vjosa doli në skenë për ca çaste; Murseli gati sa nuk befasoi vendësit me goditjen e tij, tek e cila si rast erdhi nga një kundërzbritje e shpejtë e minutës shtatëdhjetë e katërt.

Por në anën tjetër, asistimet e Gashijanit nuk u ndalën; pesëmbedhjëtë minuta para fundit, Flamur Bajrami e pa veten të vendosur para portës me një pasim fantastik nga i riu Gashijan i 2 Korrikut, por goditja e Bajramit ishte larg pritshmërive, sepse shkoi shumë lart mbi portë.

 

Krejt në fund, kur ishin shpresat e fundit për të paktën një pikë, skuadra “verdheblu” tentoi me Avdiun nga afërsia e me goditjen Prekopucës nga largësia, mirëpo të dyja goditjet nuk përbën rrezik për portën e Azemit dhe për rrjedhojë ndeshja u mbyll me triumfin e Vjosës.

2 Korriku përkundër humbjes nuk lëviz nga pozita e tetë në renditje, me dy xhirot e radhës që “verdheblutë” do t’i shohin si mysafirë të Kikës e Vllaznisë.

Liga e Parë; Java XX

2 Korriku Vjosa [1:2] (0:2 pas pjesës së parë)

Golashënues: Miftar Avdiu (48′) - Drin Ymeri (24′, 42′)

Gjyqtarët: Granit Gashi,

Delegat i ndeshjes: Ismajl Rashiti

Vëzhgues i gjyqtarëve: Driton Preniqi

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, A. Salihu, A. Salihu, A. Beqiri, R. Jashari, A. Oruqi /kap./, B. Qorri, I. Lebbie, G. M. Camara, I. Hallie, F. Bajrami. Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Vjosës: R. Azemi, E. Fejzullahu, B. Selimi, A. Shurdhiqi, A. Kozmaqi, D. Ymeri, P. Livoreka /kap./, A. Guri, Q. Tershana, E. Asllanaj, R. Murseli. Kryetrajner: Leotrim Krasniqi.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë