DREJT PRANIMIT
Vokrri e Salihu, drejt UEFA-së
6 March, 2015 @14:21
Federata e Futbollit të Kosovës, FFK, po vazhdon me takime të rëndësishme në prag të tejkalimit të pengesave ligjore dhe statutare, para pranimit në UEFA.
Për këtë arsye, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Eroll Salihu, të hënën do të udhëtojnë për në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës.
“Në bazë të shumë takimeve të mëparshme me zyrtarë të lartë të UEFA-s, palët janë dakorduar që të vazhdohet me takime të nivelit të lartë, në mënyrë që të përgatitet FFK-ja për anëtarësim në UEFA, përkatësisht për përgatitjen për aplikim dhe tejkalimin e pengesave ligjore dhe statutare për pranim të FFK-së në këtë institucion,” thuhet në kumtesën e FFK-së të dërguar pak më parë në adresën tonë nga Fazli Berisha, zëdhënës i Federatës në fjalë.
Javë më parë, në Kosovë qëndroi shefi i kabinetit të Michel Platinisë, kryetarit të UEFA-së, greku Theodoris Theodorakis, i cili njoftoi drejtuesit e FFK-së se çka duhet bërë dhe si duhet vepruar për të tejkaluar pengesat ligjore ashtu që të bëhen hapat e radhës për pranim të Kosovës në shtëpinë e futbollit europian, që është kusht për tu pranuar me të drejta të plota pastaj edhe në FIFA.
Këtë vit pritshmëritë për pranimin e Kosovës në UEFA janë të mëdha, që do të thyente barrierat përfundimtare të futbollit tonë në rrugën e gjatë drejt ndërkombëtarizimit të sportit numër një në vend.