EUROKUKËSI

uefa.com
100’000€ premi për Kukësin
18 July, 2013 @9:28
Kukësi ka mbetur ekipi i vetëm shqiptar që po garon në Europa League, pas eliminimit të Teutës dhe Laçit. Kukësianët janë treguar më dinjitozë duke luftuar në të dyja ndeshjes dhe duke arritur kualifikimin në xhiron e parë në përballjet ndaj estonezëve të Floras.
Mirëpo, ata kërkojnë tani të kalojnë edhe kundërshtarin e radhës, Sarajeva. Ndeshja e cila zhvillohet sonte në Qemal Stafa të Tiranës, me fillim në ora 19:30 ka ngritur tejmase oreksin e skuadrës nga verilindja e Shqipërisë.
“Jo vetëm për Kukësin, por për të gjithë shqiptarët ky është një moment i rëndësishëm. Jemi ekipi i vetëm shqiptar në Europa League që kemi kaluar në raundin e dytë të kualifikimeve dhe pretendimet rriten. Kukësi do të kualifikohet dhe për arritjen e kësaj futbollistët do të marrin 100 mijë euro shpërblim. Dhe jo vetëm kaq, edhe fitorja e sotme ndaj Sarajevës do të shpërblehet,” është cituar të ketë thënë kreu i klubit kukësian, Safet Gjici, për të përditshmen tiranase, Panorama Sport.
Kukësi ka qenë deri më tani skuadra e vetme faqebardhë shqiptare në Europa League, pasi që Teuta ka rënë në dyshime për kurdisje të UEFA-së pas humbjes në Molldavi, derisa Laçi përveç humbjes nga skuadra e Luksemburgut, ka marrë edhe mbi tre kartonë të kuq, duke treguar nivel të ulët të lojës.
Për Kukësin paraqiten edhe dy kosovarë, Besar Musolli dhe Yll Hoxha, të cilët zakonisht janë pjesë e përbërjes së parë të trajnerit Armando Cungu.
Bastoret ndërkombëtare kanë lënë për një grimë favorit Kukësin para ndeshjes së sotme. Kundërshtari i tyre, Sarajeva, që ka trajner Husref Musemicin, në xhiron e parë kualifikuese ka mposhtur kundërshtarin nga San Marino në të dyja ndeshjet.
KUOTAT, William Hill:
Kukësi fiton - 2.60 | Barazim - 3.25 | Sarajevo fiton - 2.70 |
EUROPA LEAGUE, Sonte:
1 | 19:30 Qemal Stafa, Tiranë | Kukësi-Sarajevo | Gjyqtar kryesor: Adrien Jaccottet (Zvicër) |