Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - DRITA

2 pikë larg historisë!

2 pikë larg historisë!


28 April, 2022 @17:02

Vetëm 2 pikë larg titullit kampion, të parit në histori të klubit!

Aq i duhet Ballkanit në 5 xhirot e mbetura për ta siguruar edhe matematikisht titullin e më të mirit të futbollit të Kosovës për sezonin 2021/2022.

Skuadra suharekase e udhëhequr nga Ilir Daja e mposhti sot Dritën e vendit të dytë me rezultat 3-2 (Ilir Blakçori 49’ (AG), Nazmi Gripshi 54´, Ermal Krasniqi 90+5´ / Almir Kryeziu 78’, Ardit Tahiri 89’), për të dëshmuar edhe një herë që me meritë ndodhet bindshëm në krye të Superligës.

Në 4 takimet e tyre mes këtyre dy skuadrave këtë sezon, Ballkani ka 3 fitore, kurse njëri prej takimeve ka përfunduar pa fitues.

Ndonëse u mbyll pa gola, pjesa e parë dhuroi plot raste të mira për shënim.

Secila prej skuadrave e goditi nga një herë shtyllën. Meriton Korenica i Ballkanit fillimisht në minutën e 33’ e goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë, e poashtu nga gjuajtja e lirë edhe Almir Kryeziu i Dritës e goditi shtyllën rreth 6-7 minuta më vonë.

TABELA AKTUALE

Gjithsesi, drama ishte ruajtur për pjesën e dytë, e cila dhuroi plot 5 gola dhe fund dramatik!

Epërsia fillestare e Ballkanit erdhi në minutën e 49’ kur Ilir Blakçori, mbrojtësi i majtë i Dritës, shënoi në portën e gabuar, kurse për 2-0 u përkujdes Nazmi Gripshi 5 minuta më vonë pas një gabimi të portierit të Dritës dhe kështu Ballkani krijoi epërsi të dyfishtë, që u mendua se do t’i jepte siguri në pjesën e mbetur të ndeshjes.

Përkundër disavntazhit dygolësh, gjilanasit nuk u dekujaruan dhe arritën që të riktheheshin fuqishëm në lojë. Almir Kryeziu në minutën e 78’ shënoi për 2-1 fillimisht, ndërkohë që shifrat i barazoi Ardit Tahiri në minutën e 89’.

Për fatin e keq të Dritës, kjo nuk mjaftoi për të dalë me pikë nga Suhareka.

Në minutën e pestë të kohës shtesë, në skenë doli Ermal Krasniqi i Ballkanit, i cili shënoi për 3-2, gol pas të cilit shpërtheu festa te e gjithë tifozëria suharekase dhe rrjedhimisht u fitua ndeshja me këtë rezultat.

Pesë xhiro pa u mbyllur kampionati, Ballkani ndodhet vetëm 2 pikë larg titullit kampion. Në anën tjetër, Drita sezonin do të kërkojë ta mbyllë me triumf në Kupën e Kosovës, ku ndodhet në finale.

Vlen të përmendet që skuadra suharekase krahas distancës së madhe me vendin e dytë, gjithashtu ka edhe sulmin e mbrojtjen më të mirë në ligë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga