STADIUMI I REPREZENTACIONIT
€3 milionë për stadiumin “Adem Jashari”
10 May, 2016 @19:03
Delegacioni i UEFA-së dhe FIFA-së që qëndruan në Kosovë javë para se të pranohet Kosova në UEFA, i ka bërë të ditur mungesat dhe çka duhet riparuar në “Adem Jashari” të Mitrovicës ashtu që ky stadium të pranohet si stadium i kategorisë së tretë për ndeshje ndërkombëtare kualifikuese.
Hidroizolimi i tribunave, rregullimi dhe zgjerimi i zhveshtoreve, mbyllja e hapësirave brenda dhe jashtë stadiumit, vënia e rrethit metalik përreth stadiumit në gjatësi prej një kilometri dhe lartësi të rrethojave prej 4 deri 6 metra, vendosja e reflektorëve, zërimit si dhe kamerave të sigurisë - janë punimet minimale që duhen bërë për të bërë gati këtë stadium për kualifikimet potenciale për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, ku pritet të merr pjesë Kosova nëse pranohet në FIFA këto ditë.
“Gjatë kësaj jave do të procedohet në Qeveri për t’u miratuar. Investimet do të jenë rreth 3 milionë euro dhe do të renovohet sipas kritereve që po i kërkojnë UEFA e FIFA,” ka thënë për Kohën Ditore drejtori i Departamentit të Sportit pranë Ministrisë përkatëse, Ibër Alaj.