KUPA E KOSOVËS / ÇEREKFINALET
4 kartonë të kuq, 1 gol i anuluar, fituesi caktohet pas vazhdimeve
16 March, 2022 @16:14
Ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës në mes të Ballkanit dhe Prishtinës, ka dhuruar gjithçka, derisa fituesi u përcaktua pas 120 minutave.
Prishtina e mposhti Ballkanin në vazhdime me rezultat 1-2 [Blend Baftiu 65’ - Qëndrim Zyba 24’, Besnik Krasniqi 96’].
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën 24’, kur një gabim të Stivi Frashërit, e shfrytëzoi Qëndrim Zyba për epërsinë e Prishtinës.
Rezultati u barazua në minutën e 65’. Armend Thaqi harkoi në zonë, derisa Blend Baftiu shënoi me kokë.
Në pjesën e fundit të ndeshjes, Albion Rrahmani u inkuadrua në lojë në minutën e 81’. Ai u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 83’, derisa dy minuta më vonë u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.
Pastaj, Armend Thaqi shënoi në minutën e 89’ të ndeshjes, por goli i tij u anulua nga VAR-i dhe ndeshja shkoi në vazhdime.
Në minutën e 96’ në skenë doli Besnik Krasniqi, që shënoi pas asistimit të Gauthier Mankendas për 1-2 të Prishtinës.
Gjatë vazhdimeve me karton të kuq u ndëshkuan edhe Sadam Sulley 120’ e Erando Karabeci 125’ te Prishtina dhe Theophilus Silomon 122’ te Ballkani.
Në pjesën e mbetur të ndeshjes nuk ndryshoi më rezultati dhe kështu Prishtina u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.