Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë! - e fundit për këtë vit

5 për fundjavë! - e fundit për këtë vit


Shkruan: G.P

17 December, 2021 @17:00

“5 për fundjavë” e fundit për këtë vit kalendarik!

Pas mesjavës së ardhshme, shumica e ligave do të shkojnë në pushim, e bashkë me to do të pushojë edhe kjo rubrikë, për t’u kthyer më pas në janarin e vitit 2022.

Në pesëshen e fundit të këtij viti kemi zgjedhur dy ndeshje nga Italia, një nga Spanja, një nga Anglia e një nga Holanda.

1. Atalanta - Roma (e shtunë, 15:00)

Edhe me Jose Mourinhon trajner, te Roma vazhdojnë problemet e vjetra. Formë aspak konsistente dhe për momentin larg prej skuadrave më të mira të Italisë. Këtë fundjavë Romën e pret punë e vështirë, pasi që udhëton në Bergamo për të luajtur me Atalantën, që momentalisht ka formë fantastike në ligë, përkundër zhgënjimit në ndeshjen e fundit të grupeve në Ligën e Kampionëve dhe moskalimin e grupeve aty. Nëse Atalanta e ruan formën që e ka në ligë dhe i futet garës për titull, ky eliminim nga Champions mund të jetë jo edhe aq tragjik.

Jemi gati te mesi i sezonit, por nuk ka shenja që Roma mund ta arrijë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, sidomos nëse shohim kualitetin e skuadrave përreth Romës. Që të gjitha janë më të mira se Roma momentalisht.

Futbolli në Itali ka rritje të dukshme viteve të fundit dhe ndeshjet janë shumë më atraktive se më parë. Këtë e dëshmon edhe mesatarja e numrit të golave për ndeshje, ku Italia momentalisht qëndron mbi Spanjën.

Ndonëse favorite për fitore është dukshëm Atalanta, përsëri pres të shohim një ndeshje të mirë.

 

2. Sevilla - Atletico Madrid (e shtunë, 21:00)

Shumë kartonë të verdhë, shpesh edhe të kuqë, shumë ndërhyrje të palejuara, protesta ndaj gjyqtarit, por mbi të gjitha ndeshje të forta. Kështu zakonisht kalojnë ndeshjet mes Sevillës dhe Atletico Madridit, dy prej skuadrave që tash e shumë e vite e ruajnë stabilitetin e tyre dhe nuk janë asnjëherë të lehta për t’u mposhtur.

Kjo përballje i gjen këto dy skuadra të pozicionuara në vendet 2 dhe 4, me Sevillën që për momentin ka 5 pikë më shumë se Atletico.

Skuadrës së Simeones sivjet nuk i ka funksionuar mbrojtja siç di t’i funksionojë gjithmonë dhe kjo e ka lënë plot 13 pikë prapa Real Madridit pas 16 ndeshjeve të luajtura (Reali ka një ndeshje më shumë të zhvilluar).

Të gjitha rezultatet janë të mundshme në këtë takim, derisa pres që të dyja të shënojnë së paku nga një herë dhe të ketë plot kartonë të verdhë.

Titulli tashmë është i Realit për t’u humbur, por në fund pres që këto dy skuadra të jenë pjesë e top-katërshes spanjolle.

 

3. Feyenoord - Ajax (e diel, 14:30)

“De Klassieker” apo klasikja holandeze. Ndeshja më e madhe e futbollit holandez, që kësaj here i gjen skuadrat në fjalë me pikë të barabarta, të renditura në pozitat 2 dhe 3, ndërkohë që momentalisht prin PSV me një pikë më shumë.

Ajaxi ka skuadrën më të mirë në ligë dhe është favorit për titullin kampion, por për momentin lufta për titull është tejet interesante dhe shpresojmë të vazhdojë kështu deri në fund.

Për fat të keq, kjo ndeshje do të luhet pa shikues, por përsëri do të të jetë një ndeshje shumë e mirë për t’u shikuar.

Liga holandeze gjithmonë dhuron ndeshje të bukura, me futboll të hapur e me shumë gola. E tillë do të jetë edhe kjo.

 

4. Tottenham - Liverpool (e diel, 17:30)

Rastet e shumta me COVID-19 po anulojnë shumë ndeshje në Premier League javëve të fundit, por për fatin tonë të mirë kjo do të zhvillohet (të paktën për momentin nuk ka ndonjë informacion që mund të shtyhet).

Tottenhami nuk ka luajtur në ligë që nga 5 dhjetori për shkak të rasteve pozitive me COVID-19, e Liverpooli deri më tash nuk ka pasur asnjë ndeshje të anuluar dhe rrjedhimisht mund të ketë më shumë lodhje të akumuluar për këtë takim.

Conte e tha personalisht që te Tottenhami ka shumë punë për të bërë dhe vështirë se do të arrihet diçka në plan afatshkurtër, ndërkohë që Liverpooli është në formë fantastike dhe po shkel çdo gjë para vetes, me synimin kryesor titullin kampion.

Për rezultate pozitive Tottenhamit i duhen golat e Harry Kanet, i cili po kalon një sezon tejet të dobët, e pa golat e Kanet vështirë se mund të arrihen qëllimet sezonale.

City është prej skuadrave që shfrytëzon maksimalisht gabimet e kundërshtarëve dhe për të qenë në garë për titull Liverpooli duhet të jetë i vëmendshëm dhe t’i fitojë edhe ndeshjet e tilla, që jo gjithmonë janë të lehta.

Mungesa e Van Dijk mund të vërehet të dielën, por Liverpooli prapë mbetet favorit për të fituar. Mbi të gjitha, do të jetë një ndeshje e mirë, që do të bëhet edhe më e mirë nëse Tottenhami shënon i pari.

 

5. Milan - Napoli (e diel, 20:45)

Dy skuadra që e filluan në mënyrë të mrekullueshme sezonin, por që në 5 xhirot e fundit kanë lëshuar shumë pikë dhe kreun e ka marrë me plot meritë Interi, skuadra më e pjekur për ta fituar titullin në Itali. Lëshimi i pikëve që e kanë bërë këto të dyja ka qenë i ndikuar edhe nga lëndimet e shumta që të dyja skuadrat kanë javëve të fundit, sidomos Milani.

Nëse flasim për përballjet e fundit, në 5 përballjet e fundit mes tyre, Napoli ka fituar vetëm 1 herë, Milani i ka fituar 2 prej tyre, e 2 të tjera kanë përfunduar me barazim.

Të dielën mbrëmja presim të shohim një ndeshje të hapur dhe që të dyja skuadrat duhet ta kenë synim fitoren. Sezoni është i gjatë dhe për titull mund të luftojnë të dyja, sidomos nëse stabilizohen me lëndime, si dhe nëse Interi e kalon ndonjë krizë rezultatesh.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League