Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

19 March, 2021 @16:00

Para pushimit të kombëtareve, kjo fundjavë në futbollin evropian vjen me plot ndeshje interesante.

Më e ngarkuar me ndeshje të mira duket dita e diel, kurse kjo e shtunë duket më e qetë.

Le të shohim se cilat janë ndeshjet më interesante të kësaj fundjave.

1. Everton vs. Manchester City (e shtunë, 18:30)

Me problemin “Premier League” tashmë të zgjidhur, City është në lojë edhe për 3 trofe të tjerë. Në Kupën e Ligës do ta luajë finalen ndaj Tottenhamit më 25 prill, ndërkohë që janë fuqishëm në garë edhe për të triumfuar në FA Cup e Champions League, sidomos nëse vazhdojnë të mos kenë lëndime në skuadër, fat që i ka përcjellur në 3-4 muajt e fundit.

Të shtunën City përballet me Evertonin në Merseyside në ndeshjen e vlefshme për fazën çerekfinale të FA Cup. Evertoni nuk është ai i fillimit të sezonit, mirëpo nuk ka dyshim që Ancelotti do ta provojë ta fitojë këtë trofe, që do të ishte i pari trofe për Evertonin që nga viti 1995.

Në rast se Evertoni nuk pëson herët, mund të jetë një ndeshje e mirë për t’u shikuar. Ndeshje të kthimit nuk ka, pra në rast barazimi, ndeshja shkon ne vazhdime e më pas gjuhen penalltitë.

2. Besiktas vs. Fenerbahce (e diel, 17:00)

Fundjava në Turqi sjell një prej derbive të Stambollit. Mes vete përballen Besiktas e Fenerbahce, skuadra që bashkë me Galatasarayn po luftojnë për titullin kampion në Turqi.

Në këtë takim Besiktasi hyn në formë shumë të mirë, me 8 fitore radhazi në të gjitha garat dhe si lider i klasifikimit, ndërkohë që Feneri në 5 ndeshjet e fundit në ligë ka fituar vetëm 2 herë.

Duke qenë se momentalisht Besiktasi (me një ndeshje më pak) ka 5 pikë më shumë se Feneri momentalisht, për Fenerin synim në këtë përballje direkte duhet të jetë vetëm fitorja, që diferenca e pikëve të ngushtohet. Ndërkohë, Galatasaray ndeshjen e xhiros e luan të premten ndaj Rizesporit në shtëpi.

Kujtojmë që ndeshja e parë mes Fenerit e Besiktasit në nëntor u mbyll 3-4 për Besiktasin, e shpresojmë që aq atraktive të jetë edhe kjo ndeshje.

3. Leicester vs. Manchester United (e diel, 18:00)

Një prej javëve më të rëndësishme të sezonit për Manchester United mund të thuhet që po kalon mjaft mirë. Dy fitore minimale ndaj West Hamit dhe Milanit, njëra për “betonim” të një prej pozitave që dërgon në Champions, e tjetra për kualifikim në çerekfinale të Europa Leagues, mund t’i krijojnë momentum 20-herë kampionit anglez për ndeshjen e së dielës ndaj Leicesterit, ndeshje e vlefshme për fazën çerekfinale të FA Cup.

Solskjaer po e kërkon me çdo kusht një trofe te United dhe FA Cup mund të jetë një mundësi e mirë. Norvegjezi ka humbur 4 gjysmëfinale në të gjitha garat gjatë periudhës së tij në “Old Trafford” dhe në vijim shpreson që kjo të mos përsëritet.

Me Pogbën e rikthyer, dhe ndoshta edhe me Cavanin, zgjedhjet në fazën ofansive për Solskajer janë më të shumta, e në anën tjetër Rodgers po vuan lëndimet e Justin, Maddison e Barnes.

Duhet të jetë ndeshje e mirë!

4. Roma vs. Napoli (e diel, 20:45)

Dy skuadra me pikë të barabarta, që po luftojnë për një vend në Champions. Roma në këtë takim vjen pas suksesit ndaj Shakharit në Europa League, ndërkohë që Napoli nga kjo garë ishte eliminuar një rreth më herët nga Granada spanjolle.

Në fushë mund t’i shohim edhe Marash Kumbullën te Roma e Elseid Hysajn te Napoli, kurse Amir Rrahmani me shumë gjasë do të mungojë për shkak të problemeve muskulore.

Ndeshjen e parë në nëntor Napoli e kishte fituar thellësisht 4-0, por vështirë se do të kemi përsëritje apo rezultat të ngjashëm për cilëndo skuadër në këtë ndeshje. Do të jetë ndeshje më e ngushtë.

5. Real Sociedad vs. Barcelona (e diel, 21:00)

Ndonëse pa shikues, takimi në “San Sebastian” mund të jetë i vështirë për Barcelonën, siç ka ditur të jetë plot herë. Nuk është Sociedadi i fillimit të sezonit dhe këtë takim e luan me shumë mungesa, mirëpo nëse dëshiron ta ndjekë Sevillën për vend të katërt, duhet të fillojë sa më parë të arkëtojë pikë.

Sa i përket Barcelonës, që po kalon nëpër frymën pozitive “Laporta” ditëve të fundit, kjo ndeshje duhet fituar për ta vazhduar garën për titull, e në ndërkohë shpresohet në lëshime të dy skuadrave nga Madridi, që ndeshjet e tyre këtë xhiro i luajnë para Barcelonës.

Përveç ndeshjeve të lartpërmendura, takime interesante këtë fundjavë pritet të jenë edhe Celta Vigo - Real Madrid, West Ham - Arsenal e Aston Villa - Tottenham. Mund të shikoni edhe Netflix, por me rëndësi është që të mos shikoni emisione politike.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League