Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

16 April, 2021 @21:20

Dalëngadalë po iu afrohemi xhirove të fundit të ligave dhe ndeshjet po bëhen gjithnjë e më interesante.

Përveç ndeshjeve të ligave, gjatë fundjavëve në vijim kemi edhe ndeshje të rëndësishme në kupat e ndryshme të ligave.

Le të shohim ndeshjet më të mira të kësaj fundjave.

1. Newcastle - West Ham (e shtunë, 13:30)

Në ndonjë prill të ndonjë viti tjetër, kjo ndeshje do të ishte shumë interesante në garën për mbijetesë, por jo edhe sivjet. Përballjen e kësaj fundjave këto dy skuadra e nisin me synime krejtësisht të kundërta, Newcastle për mbijetesë e West Ham për top4!

Rikthimi i Callum Wilson është më se i mirëpritur për Newcastlen, që gjatë krejt sezonit ka pasur probleme në sulm, ndërkohë që pas fitores së madhe ndaj Burnleyt javën e kaluar, skuadra e Steve Bruce do të shpresojë në rezultat pozitiv edhe ndaj West Hamit.

Ky i fundit ka jashtë lojtarët e rëndësishëm Declan Rice e Michail Antonio, kurse në dyshim është edhe mbrojtësi i majtë Creswell, që u lëndua në fitoren ndaj Leicesterit.

Në pjesën e mbetur të sezonit, Newcastlen e pret një kalendar mjaft i vështirë dhe secila pikë që fitohet në vijim, do të ishte e madhe. Në të njëjtën kohë, edhe West Hamit i duhen pikët nëse dëshiron të jetë pjesë e garave evropiane sezonin tjetër, një synim që një vit më parë do të tingëllonte i pamundshëm për t’u arritur.

Si zakonisht, as këtë herë Newcastle nuk do të gjuhet në sulm, e kjo nuk do t’i konvenojë West Hamit, që i preferon skuadrat që sulmojnë, në mënyrë që t’i dënojë me kundërsulme të shpejta.

Me gjasë do të jetë një ndeshje e ngushtë, jo me shumë gola.

2. Chelsea - Manchester City (e shtunë, 18:30)

Dy skuadrat angleze që gjatë mesjavës iu gëzuan kalimit në gjysmëfinale të Champions Leagues, në fundjavë përballen në gjysmëfinale të FA Cup. Ndeshja do të zhvillohet në Wembley, pra lojë kthyese në rast të barazimit nuk ka.

Vitin e kaluar (2019/2020) Chelsea kishte humbur në finale të FA Cup nga Arsenali, kurse City e kishte fituar këtë garë para dy sezoneve (2018/2019).

Nëse marrim parasysh gjithçka, favorit është City, që po lufton fuqishëm në katër fronte sivjet, por edhe Chelsea me Tuchel ka treguar maturi dhe paraqitje shumë të mira në testet e vështira. Do të jetë një ndeshje shumë e mirë...nëse City nuk shënon shpejt dy herë, siç di të bëjë shpesh herë.

3. Athletic Bilbao - Barcelona (e shtunë, 21:30)

Finalja e dytë e Copa Del Rey brenda dy javëve!

Tingëllon çuditshëm, por kështu do të ndodhë. Kjo për arsye se para dy javëve Bilbao e luajti ndaj Sociedadit finalen e mbetur nga sezoni i kaluar (ku humbi 1-0), kurse këtë të shtunë Bilbao me Barcelonën luftojnë për fituesin e Kupës për këtë sezon (2020/2021).

Përkundër eliminimit nga Champions League, Barcelona ka bërë mirë në pjesën e dytë të sezonit. Është në garë për titull në ligë, ndërkohë që mund ta fitojë edhe Kupën e Mbretit këtë të shtunë ndaj Bilbaos.

Si gjithmonë, ndeshjet ndaj Bilbaos janë të forta dhe e tillë do të jetë edhe kjo.

Lajm i mirë për Barcelonën është fakti që baskët nuk kanë fitore në 6 ndeshjet e fundit, ku problemi kryesor i tyre ishte mungesa e golave, ndërkohë që Barcelona ka formë mjaft të mirë, me përjashtim të humbjes në El Clasico fundjavën e kaluar.

Favorite për ta fituar këtë finale është Barcelona, por prapëseprapë është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë. Për kuriozitet, Barcelona (30) dhe Athletic Bilbao (23) janë skuadrat me më së shumti Copa Del Rey të fituara. Po, Bilbao ka më shumë Copa Del Rey se Real Madridi (19).

4. Atalanta - Juventus (e diel, 15:00

Dueli mes të katërtit dhe të tretit në Serie A. Fitorja e fundit e Juventusit ndaj Atalantas daton në 2019, e edhe në këtë takim Atalanta hyn pas 3 fitoreve radhazi, gjë që premton ndeshje të mirë.

Atalanta e Gasperinit luan futboll tejet të mirë, më të mirë se Juventusi i Pirlos, por dihet që përvoja është te Juventusi, i cili sivjet do të pajtohet me mos-fitimin e titullit në Serie A pas një kohe të gjatë.

Pres që të dyja të shënojnë të paktën nga një herë në këtë takim, minimalisht.

5. Napoli - Inter (e diel, 20:45)

Titulli është i Interit. Me këtë tashmë janë pajtuar të gjithë, por kjo prapë nuk ia humbë vlerën ndeshjes Napoli - Inter, që e përmbyllë këtë fundjavë sportive.

Napoli i Rrahmanit e Hysajt ende është në garë për Champions League dhe duke ditur që në këtë fundjavë mes vete luajnë Atalanta e Juve, të dyja mbi Napolin, do ta kërkojë fitoren me çdo kusht ndaj Interit.

Në anën tjetër, Interi i relaksuar do ta kërkojë që ta mbyllë sa më shpejt punën e titullit, i pari pas një kohe tejet të gjatë. Do të jetë një ndeshje e mirë për ta përmbyllur këtë fundjavë.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League