Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

Foto: turismoroma.it

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

24 September, 2021 @16:10

Një tjetër fundjavë me plot ndeshje të mira. E ne jemi munduar t’i zgjedhim pesë më të mirat, që nuk duhen humbur.

1. Chelsea - Manchester City (e shtunë, 13:30)

Pa nënvlerësuar të tjerët, Chelsea dhe Manchester City janë dy favoritët për titullin në Angli, e këtë të shtunë këto dy ekipe fantastike përballen mes vete në Londër.

City gaboi xhiron e shkuar ndaj Southamptonit, e Chelsea me paraqitje mbresëlënëse fitoi ndaj Tottenhamit në fushën e këtij të fundit. Inkuadrimi i Kante në pjesën e dytë dhe “zgjerimi i fushës” me dy anësorët e skuadrës bëri që Chelsea ta dominonte plotësisht Tottenhamin në pjesën e dytë dhe ta fitonte atë ndeshje.

Sikur City të blente një sulmues gjatë verës, do të ishte më favorit se Chelsea për titull, por për momentin Chelsea duket skuadra më e kompletuar për ta fituar kampionatin anglez.

Këto dy skuadra i pamë edhe në finalen e Champions Leagues sezonin e kaluar, ku triumfoi masterclass-a e Tuchel. Do t’i shohim edhe këtë të shtunë dhe do të jetë një ndeshje shumë e mirë.

2. Inter - Atalanta (e shtunë, 18:00)

Ndonëse nuk e ka filluar siç duhet këtë kampionat, Atalanta prapë është një prej skuadrave më të mira dhe më atraktive në Itali dhe këtë fundjavë ka punë me Interin, favoritin për titullin kampion në Itali.

Interi vjen pas fitores ndaj Fiorentinës në mesjavë, e Atalanta fitoi ndaj Sassuolos në shtëpi po njëjtën natë.

Si për titull, edhe për këtë ndeshje favorit për të fituar është Interi, por do të jetë një ndeshje e hapur dhe e mirë për t’u shikuar. Ndoshta edhe me shumë gola.

3. Real Madrid - Villarreal (e shtunë, 21:00)

Një fitore me Interin krejt në fund, një fitore me Valencian krejt në fund e më pas një fitore bindëse ndaj Mallorcës. Nga këto tri rezultate vjen Real Madridi në këtë ndeshje me Villarrealin.

Ende jo bindëse dhe jo me lojë shumë dominuese, por skuadra e Ancelottit po tregon karakter të fortë dhe po lufton deri në fund, me ç‘rast po merr edhe rezultatet.

Benzema e Modric nuk po plaken, Hazard po duket më mirë se sezonin e kaluar, Vinicius ka filluar ta gjejë rrjetën më shpesh, e Camavinga po ambientohet mirë.

Nuk mbahet mend hera e fundit kur Reali i ka fituar 6 pikë nga 2 ndeshjet ndaj Villarrealit brenda sezonit, statistikë që dëshmon se Villarreali gjithmonë ka ditur të jetë problematik për mbretërit.

Si zakonisht, edhe kjo ndeshje mes këtyre dy skuadrave do të jetë e mirë.

4. Arsenal - Tottenham (e diel, 17:30)

Dy fitore radhazi për Arsenalin në ligë dhe tash derbi i Londrës Veriore me Tottenhamin, që vjen pas dy humbjeve radhazi dhe gjashtë golave të pësuara nga Crystal Palace e Chelsea.

Ndaj Burnleyt Arsenali u tregua i disciplinuar në mbrojtje, gjë që duhet ta bëjë më shpesh, e Tottenhami ndaj Chelseat luajti mirë vetëm në pjesën e parë. Ardhja e Kane në pozitat e mesfushës shumë shpesh gjatë ndeshjes nuk po i bën mirë “gjelave” dhe kjo duhet të fillojë të ndryshojë.

Është prej atyre ndeshjeve ku nuk ka favorit dhe prandaj është për t’u shikuar.

5. Lazio - Roma (e diel, 18:00)

Derbi i kryeqytetit italian. Ndeshje që gjithmonë ka qenë interesante dhe këtë sezon ka edhe një faktor tjetër që në çdo moment mund ta “ndezë” situatën: faktorin Jose Mourinho.

Ky derbi ka ditur t’i gjejë këto dy skuadra si të mesit të tabelës, por jo edhe këtë herë. Të dyja luajnë në Evropë, të dyjat do të luftojnë për pozitat e para të tabelës dhe të dyja kanë kualitet në fushë.

Plus, ndeshja luhet me shikues. Padyshim që duhet shikuar!


 
Të gjitha lajmet nga Premier League