Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

3 December, 2021 @16:00

Edhe fundjava që vjen ka plot ndeshje të mira.

Për shkak që në mesjavën e ardhshme ka gara evropiane, këtë fundjavë më shumë ndeshje të mira ka të shtunën, por kemi përzgjedhur diçka edhe për të dielën.

1. West Ham - Chelsea (e shtunë, 13:30)

Një prej shumë derbive të Londrës që luhen në Premier League. Ndonëse West Hami ka pak rënie të formës në ndeshjet e fundit, prapë është një skuadër shumë e mirë që mund ta befasojë këdo. Janë shumë të rrezikshëm në ndërprerje dhe kanë tifozë fantastik prapa vetes kur luajnë në shtëpi.

Këtë fundjavë, West Hami pret Chelsean, që po kalon një sezon fantastik. Se çfarë skuadre fantastike ka krijuar Tuchel, po vërehet në ndeshjet kur kjo skuadër po luan me 5-6 mungesa nga formacioni bazë. Në mesjavë ndaj Watfordit, Chelsea ishte pa komplet vijën e mesme të skuadrës. Munguan James, Chilwell, Kante e Jorginho, katërshja e zakonshme në 3-4-3-shin e Tuchelit, dhe Chelsea përsëri e gjeti rrugën e fitores. Ishte fitore e vështirë, prej atyre që në fund janë vendimtare në fitimin e titullit kampion.

Thjesht, është ndeshje e mirë për ta filluar ndeshjen e shtunë!

 

2. Roma - Inter (e shtunë, 18:00)

Roma dhe forma e saj përjetësisht e luhatshme. Tri humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe gjashtë pikë larg vendit të katërt momentalisht, kjo është gjendja momentale e Romës, ndërkohë që Interi, kundërshtari i kësaj fundjave, po kalon formë mjaft të mirë dhe po dëshmon që është favoriti për titull në Itali, ndonëse nuk është ende në krye.

Pa nënvlerësuar Napolin e Milanin, që po bëjnë sezon të mirë, por Interi në Itali është skuadra më e pjekur për maratona dhe favoriti personal për ta fituar titullin në Serie A edhe sivjet.

Interi e ka fituar përballjen e fundit mes këtyre dy skuadrave në Milano, e gjashtë ndeshjet para saj (në të dyja qytetet) kanë përfunduar me barazim. Herën e fundit kur Interi fitonte ndaj Romës në Olimpico ishte në vitin 2017, e para saj, hera e fundit kur Interi e ka mposhtur Romën në Olimpico daton në vitin e largët 2011.

Këto statistika tregojnë që ndeshjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë të forta, pavarësisht favoritit. E fortë do të jetë edhe kjo ndeshje!

 

3. Dortmund - Bayern (e shtunë, 18:30)

Dy kandidatët kryesorë për titull në Gjermani. Momentalisht Bayerni ka vetëm një pikë më shumë se Dortmundi dhe një fitore eventuale e Dortmundit këtë të shtunë mund ta ndryshonte kryesuesin e ligës.

Të dyja skuadrat kanë mungesa, e për Dortmundin lajm i mirë është rikthimi i Haaland, i cili u rikthye ndeshjen e kaluar dhe menjëherë e gjeti rrjetën.

Pavarësisht fituesit, kjo ndeshje gjithmonë ka qenë e hapur dhe gjithmonë ka qenë shumë e shikueshme për futbolldashësit. Nëse fiton Dortmundi, do të ishte edhe më mirë për tifozët e asnjëanshëm dhe për garën për titull në Gjermani. Nëse Bayerni fiton dhe fillon të arratiset me titull herët, interesimi për Bundesligë padyshim që bie.

 

4. Napoli - Atalanta (e shtunë, 20:45)

Ajo që Napoli bëri në mesjavë ndaj Sassuolos, kur epërsinë 0-2 e lëshoi në 2-2 dhe për pak sa nuk e humbi krejt ndeshjen, është prej shenjave që tregojnë se Interi mbetet skuadra më e pjekur për titull në Itali. Lëndimi i nigerianit Osimhen do të jetë shumë i dukshëm te Napoli, por pavarësisht mungesave, ndodhitë si ajo ndaj Sassuolos duhet të evitohen në rast se dëshirohet të fitohet titulli kampion. Do të ishte bukur ta shihnim një futbollist të Kosovës të shpallet kampion i Italisë, pra Amir Rrahmani me Napolin, gjë që nuk ka ndodhur që nga viti 1942, kur Naim Kryeziu shpallej kampion me Romën.

Ndaj Atalantas të shtunën nuk do të jetë aspak lehtë. Mysafirët po kalojnë formë mjaft të mirë dhe po ngjiten dalëngadalë. Përparësi për Napolin do të jetë nëse Atalanta do ta ketë mendjen te Villarreali, me të cilin e ka ndeshjen vendimtare për kalimin e grupeve të Ligës së Kampionëve mesjavën e ardhshme, por pavarësisht asaj, ndaj Atalantës Napolin e pret një test i vërtetë.

Janë dy skuadrat që e luajnë futbollin më të mirë në Itali dhe pres që të dyja së paku të shënojnë nga një herë. Do të jetë një ndeshje shumë e hapur dhe e mirë për t’u shikuar.

 

5. Manchester United - Crystal Palace (e diel, 15:00)

Debutimi i gjermanit Ralf Rangnick në krye të Manchester Unitedit. Michael Carrick bëri punë të mrekullueshme në tri ndeshjet e tij para se ta dorëzonte detyrën te Rangnick, dhe gjermani e merr skuadrën në një moment jo edhe fort të keq.

Crystal Palace, kundërshtari i kësaj fundjave, e ka mposhtur Unitedin në dy vizitat e fundit në “Old Trafford”, e para tyre, ka barazuar pa gola. Rrjedhimisht, United nuk di për fitore ndaj Crystal Palacet në shtëpi që nga viti 2017, kur skuadra drejtohej nga Jose Mourinho. Atë ndeshje United e kishte fituar 4-0 dhe Fellaini kishte shënuar dy herë.

Do të jetë interesant të shohim se me çfarë formacioni do të startojë Rangnick. Te United ka nevojë për ndryshime të mëdha, në fushë dhe jashtë saj, dhe do të shohim se çfarë pune do të bëjë Rangnick aty, duke filluar nga kjo fundjavë.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League