KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
11 February, 2022 @12:00
Tjetër fundjavë me plot ndeshje të mira.
Këtë herë i kemi zgjedhur dy ndeshje nga Serie A, një nga Premier Liga, një nga elita e futbollit portugez e një nga Kupa e Botës për klube.
1. Porto - Sporting (e premte, 21:15)
Si rrallë herë, për këtë fundjavë kemi zgjedhur një ndeshje nga elita e futbollit portugez.
Elita e futbollit portugez përveç që prodhon pafund lojtarë për top-ligat tjera të Evropës, qëndron edhe vet e fortë vazhdimisht, duke pasur gjithmonë skuadra që bëjnë mirë në Evropë. Benfica e Sporting Lisbona i kaluan grupet e Ligës së Kampionëve dhe do t’i shohim në 1/8 e finales këtë sezon, Porto ishte shumë pranë kalimit të grupit “të vdekjes”, e në vazhdim do ta shohim në Europa League, ku bën pjesë edhe Braga. Pra katër skuadra portugeze do të jenë pjesë e fazës së eliminimit direkt në dy garat më të forta evropiane për klube, tregues mjaft i qartë që kjo ligë është e fortë përkundër që është “vend peshkimi” i çdo afati kalimtar nga top-klubet e Evropës.
Këtë të premte me fillim nga ora 21:15, mes vete përballen vendi i parë dhe vendi i dytë i rendites. Porto (59 pikë) dhe Sportingu i Lisbonës (53 pikë) ndeshen mes vete në Dragaon e famshëm, për t’i qartësuar edhe më shumë gjërat në luftën për titullin kampion.
Porto këtë sezon nuk e ka as edhe një humbje në ligë dhe kjo ndeshje nuk do të ishte e duhura që të pësohet humbja e parë. Duke qenë 6 pikë larg, edhe një barazim për Porton nuk do të ishte fort i keq, ndërkohë që Sportingu e ka mundësinë ta bëjë edhe më interesante luftën për titull me një fitore të mundshme.
Besoj që do të jetë ndeshje e mirë!
2. Chelsea - Palmeiras (e shtunë, 17:30)
Finalja e Kupës së Botës për klube. Në gjysmëfinale Chelsea eliminoi skuadrën Al-Hilal, e Palmeiras fitoi ndaj Al-Ahlyt, e kështu të dyja e gjejnë veten në finalen e Abu-Dhabit.
Ndonëse Chelsea është favorit për fitore, Palmeiras në këtë takim vjen duke qenë në formë mjaft të mirë. Skuadra braziliane nuk di për humbje në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe së fundi nuk po pëson shumë gola.
Çuditërisht, Chelsea e kishte humbur finalen e Club World Cup në vitin 2012 dhe këtë trofe nuk e ka ende në kabinetin e vet, prandaj për të kjo finale është edhe më e rëndësishme këtë herë. Në anën tjetër, për Palmeiras kjo është pjesëmarrja e parë në një finale të tillë.
3. Napoli - Inter (e shtunë, 18:00)
Humbja e Interit nga Milani xhiron e kaluar i bën mirë luftës për titull në Itali. Tashmë dy skuadrat nga Milano dhe Interi ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës rreth kreut të tabelës (Interi ka një ndeshje më pak) dhe ndeshja e kësaj fundjave mes Napolit e Interit vjen në një moment shumë të mirë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Interi fitoi ndaj Napolit 3-2 në shtëpi, në një takim i cili ishte mjaft i kënaqshëm për t’u shikuar. Dhuroi 5 gola, përmbysje, shumë kartonë të verdhë, e luftë të fortë në fushë. Diçka të ngjashme mund të shohim edhe këtë herë.
Mesjavën e ardhshme Interi do ta ketë përballë Liverpoolin në Ligën e Kampionëve, por nuk besoj që Inzaghi do të bëjë ndonjë rotacion të madh për këtë ndeshje, pasi që është tejet e rëndësishme për garën për titull. Në anën tjetër, të enjten e ardhshme Napoli ndeshet me Barcelonën, por jo në Champions League, në Europa League.
Për Interin edhe barazimi nuk do të ishte “fundi i botës”, kurse për Napolin e Rrahmanit është më rendësi të fitohet ky takim në rast se duan të tregojnë se janë serioz në luftën për titull.
4. Tottenham - Wolves (e diel, 15:00)
Dueli mes të shtatit dhe të tetit në Premier League.
Ndonëse u mposht nga Southamptoni i Brojës në mesjavë, Tottenhami me Conten është ringjallur dukshëm. Italiani po bën punë shumë të mirë dhe vitin tjetër Tottenahmi do të jetë edhe më i fortë, gjithmonë nëse Conte nuk e lë vetë këtë punë, siç ka bërë shumë herë kur nuk është përkrahur nga pronarët e klubit sa i përket ardhjeve e largimeve. Nëse Harry Kane largohet verës, e Contes nuk i plotësohen dëshirat e transfereve, nuk do të çuditesha nëse largohet që këtë verë.
Në anën tjetër, Wolves po bën një punë fantastike me trajnerin portugez Bruno Lage, kanë mbrojtjen e dytë më të mirë në ligë dhe në mesjavë ndaj Arsenalit me pak më shumë fat mund të largoheshin me pikë, pasi që luajtën mjaft mirë përkundër disfatës. Largimi i Adama Traores nuk është edhe aq negativ sa mund të duket, ndërkohë që mungesa e Pedro Netos përgjatë gjithë këtij sezoni është mungesa më e madhe për këtë skuadër.
Ndeshjet ku merr pjesë Wolves zakonisht nuk prodhojnë shumë gola dhe nuk do të besojë se do të prodhojë as kjo.
5. Atalanta - Juventus (e diel, 20:45)
Lufta për top-katër në Itali. Humbja e Atalantas javën e kaluar nga Cagliari ishte tejet e befasishme dhe falë saj Juventusi (me një ndeshje më shumë) momentalisht është futur në top-katërshe.
Ardhjet e Vlahovic dhe Zakaria janë më se të mirëpritura për “Zonjën e Vjetër” dhe mund ta bëjnë diferencën për Juventusin në pjesën e mbetur të sezonit.
Përveç nëse ndodhë ndonjë befasi e jashtëzakonshme, Interi, Napoli e Milani duhet të jenë tri të parat e Italisë, e nëse e dëshiron vendin e katërt, Atalanta duhet t’i fitojë edhe ndeshjet si këto. Skuadra e Gasperinit ka vuajtur shumë nga lëndimet këtë sezon dhe largimi i Gosling në janar nuk është aspak lajm i mirë, por situata është e tillë dhe duhet të luftojë me armët që i ka.
Sidomos me përforcimet e janarit, Juventusi nuk do të gabojë aq shumë në pjesën e mbetur të sezonit dhe do të jetë favoriti për ta marrë pozitën e katërt në Itali, prandaj kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, sidomos për Atalantan, pasi që luan në shtëpi dhe duhet ta thotë “fjalën e saj”: