KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
25 February, 2022 @12:00
Tjetër fundjavë me plot ndeshje të mira.
Pesëshja e kësaj fundjave përmban 2 ndeshje nga Premier Liga, një finale të Kupës së Anglisë, një ndeshje nga La Liga dhe një nga Serie A.
1. Leeds - Tottenham Hotspur (e shtunë, 13:30)
E mposhtën Cityn në fundjavë, duke treguar paraqitje fenomenale, në fakt siç bëjnë çdo sezon ndaj Cityt, e më pas u mposhtën nga Burnley në mesjavë. Tipike për lojtarët e Tottenhamit.
Conte pas ndeshjes ndaj Burnleyt dha shenja që mund të largohet, duke shprehur mes rreshtave që lojtarët nuk kanë mentalitetin e duhur që të drejtohen nga ai. Italiani është prej atyre trajnerëve që largohen edhe nëse klubi nuk ia plotëson dëshirat e tij në afatin kalimtar, siç bëri kur u largua nga Interi verën e kaluar, menjëherë pasi i shpalli zikaltërit kampionë të Italisë.
Të shtunën Tottenhami do të ketë punë me Leedsin në super-krizë. Kur e sheh këtë skuadër duke luajtur, nuk të duket se është prej skuadrave që luftojnë për mbijetesë, por për fatin e keq të tyre janë aty dhe për momentin e rrezikojnë rikthimin në Championship. Leeds ka pasur shumë lëndime gjatë gjithë sezonit dhe kjo po i kushton shumë. Sidomos mungesat afatgjatë të Bamford dhe Phillips kanë luajtur rol të madh në rezultatet e dobëta këtë sezon.
Ndeshja e së shtunës mes Leedsit e Tottenhamit mund të shkojë në të gjithë drejtimet e mundshme dhe prandaj do të jetë shumë e mirë për t’u shikuar.
2. Everton - Manchester City (e shtunë, 18:30)
Befasisht nëse i shohim emrat në skuadër por jo befasisht nëse e dijmë siç po drejtohet ky klub tash e sa vite, Evertoni gjendet në luftë për mbijetesë momentalisht.
Afati kalimtar i janarit shkoi mirë për ta dhe nuk besoj se do të bien nga liga, por shqetësues është fakti sa keq po drejtohet ky klub tash e shumë vite.
City u mposht nga Tottenhami në ligë xhiron e kaluar dhe dy gabime rresht do të ishin shumë. Nuk e ka mendjen në Evropë, pasi që veçse e ka siguruar çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, dhe ndaj Evertonit do të tentojë vetëm fitoren.
Në anën tjetër, të drejtuarit nga Frank Lampard kane nevojë për pikë dhe të paktën diçka e nxjerrur nga takimi ndaj Cityt mund të krijonte momentum pozitiv.
Do të jetë ndeshje e mirë, sidomos nëse City nuk shënon herët.
3. Sevilla - Betis (e diel, 16:15)
Derbi i qytetit të Seviljës. Dy skuadra që po kalojnë sezon tejet të mirë dhe që shumë lehtë mund të jenë në Champions League vitin tjetër.
Gjatë mesjavës të dyja i kaluan kundërshtarët e tyre në Europa League dhe në pjesën e mbetur të sezonit do të vazhdojnë të kenë obligime evropiane.
Nuk besoj që Sevilla do të mundë ta ndjekë Realin për titull, sidomos nëse ky i fundit eliminohet nga Liga e Kampionëve, por megjithatë Sevilla mund të përfundojë e dyta në Spanjë shumë lehtë. Sa i përket Betisit, Atletico dhe Barcelona janë kundërshtarë mjaft të fortë për top-katër dhe prandaj Betisi nuk guxon të lëshojë shumë pikë nëse e dëshiron kualifikimin në UCL sezonin që vjen.
Nuk është prej ndeshjeve që sjellin shumë gola dhe nuk besoj që do të ketë shumë gola as këtë herë, por do të jetë një ndeshje e fortë.
4. Chelsea - Liverpool (e diel, 17:30)
Pas triumfit në Kupën e Botës për klube, Chelsea mund ta fitojë një tjetër trofe shumë shpejt. Këtë fundjavë Chelsea përballet me Liverpoolin në finalen e Carabao Cup, apo siç njihet ndrysha Kupa e Ligës së Anglisë. Është trofe më pak i rëndësishëm se FA Cup, por megjithatë mbetet një trofe.
Katër vitet e fundit ky trofe është fituar nga Manchester City, e këtë vit do të ketë një fitues tjetër, Chelsean ose Liverpoolin.
Kjo finale e gjen në formë më të mirë Liverpoolin, por Chelsea i Tuchel di të luajë mirë në ndeshje të mëdha dhe padyshim që gjithçka mbetet e hapur.
Në historitë e tyre përkatëse, Chelsea e ka fituar këtë trofe 5 herë, kurse Liverpooli plot 8 herë, aq sa ka edhe Manchester City. Të dyja këto skuadra e ndajnë vendin e parë.
5. Lazio - Napoli (e diel, 20:45)
Në fundjavën kur edhe Milani e edhe Interi lëshuan pikë, Napoli lëshoi pikë në udhëtim te Cagliari, një gabim i pafalshëm dhe që mund t’i kushtojë shumë në luftën për titullin kampion. Tejet shpesh gjatë viteve të fundit Napoli ka lëshuar pikë në momentet më kritike të sezonit dhe këtë e bëri edhe xhiron e kaluar.
Këtë të diel Napolin e pret një udhëtim aspak i lehtë në Romë, ku përballet me Lazion. Në 5 ndeshjet e fundit në ligë Lazio nuk di për humbje, ndonëse ka pësuar humbje në Coppa Italia e Europa League. Si Napoli, edhe Lazio të enjten mbrëma u eliminua nga Europa League. Të dyja patën kundërshtarë të fortë, Barcelonën, respektivisht Porton, por nga ky eliminim më i zhgënjyer do të jetë Napoli sesa Lazio.
Do të ishte mirë nëse Amir Rrahmani me Napolin e tij do të shpallej kampion i Italisë, por do të jetë vështirë, sidomos kur lëshohen pikë në ndeshjet si ajo ndaj Cagliarit.
Kjo e së dielës mbrëma pres të jetë ndeshje e mirë dhe me plot gola!