Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

4 March, 2022 @11:00

Para mesjavës me ndeshje nga Liga e Kampionëve dhe gara të tjera evropiane për klube, kjo fundjavë sjell plot ndeshje të mira.

Pesëshja e zgjedhur për këtë javë është kjo:

1. Leipzig - Freiburg (e shtunë, 15:30)

Lufta për top-katër në Gjermani mbetet shumë e hapur. Dy vendet e para janë të paprekshme, por për vendet 3 dhe 4 gara është e hapur.

Këtë fundjavë kemi një duel direkt për vendin e katërt, me Leipzigun vendas që e pret Freiburgun. Të dyja janë në formë të mirë, kanë pikë të barabarta dhe të dyja vijnë në këtë takim pas triumfeve përkatëse në DFB Pokal në mesjavë.

Për ta arritur top-katërshen më favorit llogaritet të jetë Leipzigu, por Freiburgu që ka mbrojtjen më të mirë në ligë bashkë me Bayernin, mund të përfundojë në top-katër nëse vazhdon me këtë ritëm.

Ndeshjet në Bundesligë zakonisht dhurojnë shumë gola, por nuk besoj se do të ketë shumë gola edhe në këtë takim.

 

2. Burnley - Chelsea (e shtunë, 16:00)

Çfarë lufte për mbijetesë në Premier League! Tashmë në atë garë janë futur edhe Evertoni, Leedsi e Brentfordi, ndërkohë duket që Newcastle po del prej saj, por megjithatë është ende shumë herët për përfundime.

Një prej skuadrave që viteve të fundit ka qenë tejet stabile në Premier League, Burnley, këtë vit është në rrezik më të madh se ç`ka qenë në vitet e fundit dhe secila ndeshje e mbetur është tejet me rëndësi.

Me buxhet tejet të limituar, Sean Dyche ka bërë punë fantastike gjatë gjithë këtyre viteve dhe një tjetër mbijetesë do të ishte një tjetër sukses i renditur për të dhe epokën e tij te Burnley.

Këtë të shtunë Burnley luan ndaj Chelseat në shtëpi, një takim ky mjaft i rëndësishëm për të dyja skuadrat. Mes zërave për shitjen e klubit nga Abramovich dhe formës në përgjithësi të luhatshme, Tuchel do ta kërkojë një fitore në Turf Moor të shtunën, për të shpresuar në rikthim të formës që e patën në fillim të sezonit dhe për ta mbyllur sezonin mirë.

 

3. Liverpool - West Ham (e shtunë, 18:30)

Pas triumfit në Kupën e Ligës dhe më pas kualifikimit në rrethin tjetër të FA Cup, Liverpooli vëmendjen të shtunën e kthen në ligë, ku përballë ka West Hamin e papërshtatshëm. Ky i fundit u eliminua nga FA Cup në mesjavë e tash fokusin e bartë në ligë, ku po lufton për pozita evropiane, ndërkohë që është ende edhe në Europa League.

Para ndeshjes së të dielës, Liverpooli është në formë fantastike dhe ka vetëm 2 humbje sezonale në Premier League, e njërën prej tyre ia kishte shkaktuar pikërisht West Hami në nëntor të vitit të kaluar. Gjithsesi, në Anfield Road është ndryshe dhe vendasit janë favoritë për fitore.

Kundërsulmet dhe ndërprerjet mbesin armët më të forta të West Hamit dhe përmes tyre do të provojnë të nxjerrin diçka edhe nga Anfield Road.

 

4. Manchester City - Manchester United (e diel, 17:30)

Derbi i qytetit të Manchesterit dhe njëkohësisht ndeshja e parë ndaj një kundërshtari të madh për Ralf Rangnick në ligë. Nëse përjashtojmë ndeshjen ndaj Atleticos në Champions League, United me Rangnickun ende nuk ka luajtur ende ndaj ndonjë kundërshtari të fortë në letër.

Gjermani po bën më mirë se që rezultatet dhe shpërdorimet e lojtarëve të tij para portës kundërshtare po e bëjnë të duket. Që nga ardhja e tij, asnjë skuadër nuk ka krijuar më shumë raste për gol se Manchester United dhe skuadra është stabilizuar dukshëm në mbrojtje, por për top-katër gjërat janë komplikuar shumë me barazimet ndaj skuadrave të poshtme. Tash vijnë ndeshjet e vështira dhe mbetet të shihet se si kjo skuadër do të reagojë. Largimi i detyrueshëm i Greenwoodit nga skuadra, forma e tmerrshme e Rashford, e lëndimet e panumërta të Cavanit, po e detyrojnë Rangnickun të luajë me Ronaldon startues në çdo ndeshje, gjë që po e dëmton Unitedin. Portugezi nuk e ka më energjinë të luajë startues çdo tri-katër ditë dhe pamundësia për rotacione në sulm po e dëmton Unitedin.

Nën drejtimin e Solskjaer, United ka bërë befasisht mirë në ndeshjet në Etihad dhe nuk është mposhtur asnjëherë. Në Etihad City nuk ka fituar ndaj Unitedit që nga nëntori i vitit 2018, kur United drejtohej nga Jose Mourinho.

Siç bëjnë të gjithë ndaj Cityt, edhe United do të tentojë të mos pësojë herët dhe eventualisht të shënojë i pari, që pastaj pjesa e mbetur e ndeshjes të jetë më e lehtë. Nëse City shënon herët, siç ka ndodhur plot herë, ndeshja mund të bëhet e pashikueshme nga dominimi i njërës palë.

 

5. Napoli - Milan (e diel, 20:45)

Me nga një ndeshje më shumë të luajtur se Interi, Napoli e Milani i prijnë momentalisht elitës së futbollit italian me nga 2 pikë më shumë se kampioni në fuqi i Italisë.

Përballja e kësaj fundjave i gjen këto dy skuadra në një pozitë më të mirë se që e mendoja se do të ishin, pasi që kisha përshtypjen që Interi do të arratisej drejt titullit më herët, por që të dyja janë ende në garë për titull dhe nëse Interi luan siç ka luajtur së fundi, Napoli apo Milani edhe mund ta fitojnë titullin. Nuk besoj se Interi do ta lëshojë titullin, por mbetet të shihet.

Ndeshjen e parë të këtij sezoni mes tyre e kishte fituar Napoli me rezultat 0-1 falë një goli të hershëm nga Elmas. Ishte një ndeshje mjaft e mirë dhe e mirë pres të jetë edhe kjo. Të dyja duhet të luajnë për fitore dhe barazimi nuk i konvenon asnjërës.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League