KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
29 April, 2022 @12:00
Tri ndeshje nga Premier Liga, një nga Serie A e një nga Ligue 1.
Kjo është pesëshja e zgjedhur për fundjavën e fundit të muajit prill.
1. Newcastle United - Liverpool (e shtunë, 13:30)
A mund t’i shohim këto dy skuadra duke luftuar për titull me njëra-tjetrën pas disa viteve? Ndoshta po. Mbetet të shihet se si do ta shfrytëzojë buxhetin e pronarit të ri skuadra nga Tyneside. A do të shpenzojnë mençur, apo do të shpenzojë pa logjikë si Manchester United e Evertoni? Mbetet të shihet.
I shpëtuar nga rënia dhe me mundësi për ta mbyllur sezonin në pjesën e epërme të tabelës, Newcastle të shtunën e pret Liverpoolin në një klasike angleze.
Liverpooli në këtë takim vjen duke qenë shumë pranë finales së Ligës së Kampionëve pas fitores ndaj Villarrealit në mesjavë, e Newcastle këtë takim e nis duke qenë më i pushueshëm e më i relaksuar mentalisht, pasi që nuk e ka më presionin e luftës për mbijetesë.
Nga ato pak takime që i kanë mbetur, ky është një prej takimeve ku Liverpooli mund të lëshojë pikë në luftën për titull, ndonëse mbetet favorit absolut për fitore.
2. Leeds - Manchester City (e shtunë, 17:30)
Disa orë pas ndeshjes së Liverpoolit, City në Yorkshire luan ndaj Leedsit, që nuk di për humbje në 5 ndeshjet e fundit në ligë dhe duket se do të shpëtojë pa u rikthyer në Championship. Jesse Marsch ka bërë punë të shkëlqyer që nga ardhja e tij në krye të skuadrës, sidomos në përmirësimin e skuadrës në fazën mbrojtëse, dhe me meritë besoj se Leedsin do ta shohim në Premier League edhe sezonin tjetër.
Përkundër se mund ta ketë mendjen pak te ndeshja kthyese ndaj Realit në Spanjë, Cityt megjithatë nuk i tolerohet lëshimi i pikëve në ligë, sidomos nëse Liverpooli fiton paraprakisht në Newcastle. Lideri i Premier Ligës ka skuadër të mbushur me lojtarë të mirë dhe edhe nëse disa pushojnë për ndeshjen kthyese ndaj Realit, përsëri kualiteti në fushë nuk do të mungojë.
Njëjtë si për Liverpoolin, edhe udhëtimi i Cityt këtë fundjavë është prej më të vështirëve për të në ndeshjet e mbetura këtë sezon.
3. Milan - Fiorentina (e diel, 15:00)
Titulli në duart e Milanit. Katër ndeshje para fundit të kampionatit në Serie A, Milani e ka në dorën e tij mundësinë për t’u shpallur kampion.
Humbja e Interit nga Bologna në mesjavë bën që Milani të ketë 2 pikë më shumë se Interi kur kanë mbetur edhe 4 xhiro deri në fund dhe tashmë rossonerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për rezultatet e skuadrave tjera, mjafton t’i fitojnë ndeshjen e tyre dhe do ta fitojnë titullin që mungon për një kohë të gjatë.
Gjithsesi, ndeshjet duhet të merren një nga një, duke filluar nga kjo e së dielës ndaj Fiorentinës, ku San Siro pritet të jetë i stërmbushur me shikues sipas lajmeve më të fundit në lidhje me biletat e shitura.
Fiorentina, ende me gjasa për të dalë në Evropë sezonin tjetër, në këtë takim vjen pas 3 humbjeve radhazi, dy në ligë e një në Coppa Italia, por më shqetësues për Milanin mund të jetë rekordi i Fiorentinës ndaj ekipeve të mëdha këtë sezon të Serie A-së.
Skuadra me njërën prej strukturave udhëheqëse më të mirë në Itali e kishte mposhtur Milanin në ndeshjen e parë mes tyre këtë sezon, ndërkohë që gjatë sezonit i ka marrë pikë Interit, si dhe e ka mposhtur dy herë Atalantën në ligë e dy herë Napolin (një herë në Kupë e një herë në ligë).
Për Milanin është një finale dhe padyshim se do të jetë ndeshje për t’u shikuar.
4. West Ham - Arsenal (e diel, 17:30)
Befasisht dhe jo-zakonshëm, ky takim e gjen West Hamin më të lodhur nga mesjava në Evropë, e Arsenalin e pushueshëm pa angazhime në Evropë.
West Hami të enjten mbrëma u mposht 1-2 nga Frankfurti në shtëpi në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Europa Leagues dhe tash i duhet përmbysja në Gjermani për ta arritur finalen.
Lodhja e akumuluar nga ndeshjet e shpeshta po vërehet te West Hami, që s’di për fitore në 3 ndeshjet e fundit në ligë, ndërkohë që Arsenali me dy fitoret e fundit ndaj Chelseat dhe Manchester Unitedit tregoi pjekuri dhe me meritë ndodhet atë ku është.
Një fitore e mundshme do ta ngjiste West Hamin mbi Manchester Unitedin në renditje, në pozitën që dërgon në Europa League sezonin tjetër, kurse Arsenali, duke e ditur që ka një përballje direkte me Tottenhamin më vonë gjatë sezonit, nuk do të donte të lëshonte më tepër pikë në luftën për top-katër.
Pres një ndeshje të fortë!
5. Marseille - Lyon (e diel, 20:45)
Një prej klasikeve franceze.
Ky sezon e gjen Marseillen më të mirë, duke qenë në vendin e dytë në Ligue 1 kur jemi 4 xhiro para fundit të sezonit, vend të cilin vështirë se do ta lëshojë deri në fund.
Gjithashtu, Marseille në mesjavë u mposht 3-2 nga Feyenoordi holandez në Holandë dhe për ta arritur finalen e UEFA Conference League i duhet përmbysje në ndeshjen kthyese në Velodrome.
Sa i përket Lyonit, kjo skuadër bëri disa ndryshime të çuditshme gjatë afateve të fundit kalimtare, për të mbetur prapa skuadrave tjera që po rriteshin. Pak vite më parë Lyoni eliminonte skuadra si Juventusi në Ligë të Kampionëve, e tash e sheh veten në vendin e 8 të Ligue 1, me shumë pak gjasa për të dalë në Evropë vitin tjetër.
Është klasike franceze dhe ia vlen të shikohet.