SQARIMI I RREGULLIT TË RI DHE ARSYETIMI

TOPSPORTI/ Arian Paçarizi
5 zëvendësime me 3 kërkesa, rregulli i ri FIFAs
9 May, 2020 @0:32
Shtëpia botërore e futbollit (FIFA) sot ka bërë një shtesë të përkohshme në rregullat e saja për futbollin duke shtuar një amandament në Nenin 3 të saj - për lojtarët.
Kështu, prej datës 1 qershor 2020 deri në fund të këtij viti (për kampionatet që kanë filluar ose mëtojnë të përfundojnë deri në fund të vitit) do të mundësohet që ekipet të bëjnë pesë zëvendësime të lojtarëve në fushë.
Mirëpo, për të ndalur ndërprerjet e shumta, këto pesë zëvendësime mund të kryhen duke ndërprerë maksimalisht ashtu siç ka qenë, tre herë ndeshjen.
Pra, ekipi nëse ka kryer dy zëvendësime standarde më parë dhe dëshiron të shfrytëzojë zëvendësimin e tretë, atëherë në të tretin do të mund të fusë tre lojtarë për të kryer të pesë zëvendësimet. Natyrisht, këto mund të bëhen edhe te zëvendësimi i parë, apo i dytë, por me rëndësi është që të dihet se tre kërkesa për zëvendësim që shkojnë, mund të ndërrohen maksimalisht pesë lojtarë gjatë ndeshjes. Ato mund të bëhen edhe në formatin: 2-1-2, 1-3-1 ose tjetër.
“Amandamenti do të afektojë stinorin 2019/20 dhe 2020/21, me efekt prej 1 qershori 2020,” ka shkruar njoftimi i FIFAs sot, duke e arsyetuar këtë vendim me ndeshjet që do të luhen më vonë për shkak të pandemisë, pasi që tash “ato luhen në periudha më të shpeshta, në mot më të ndryshëm nga e zakonshmja, të dyja këto që mund të ndikojnë në shëndetin e lojtarëve”.
Mbetet të shihet se a do të zbatohet ky vendim në futbollin e Kosovës, që mëton të nis në javën e fundit të këtij muaji, derisa Ministritë përkatëse kanë bërë të ditur se asgjë s’mund t’ia fillojë para 1 qershorit sa i përket aktiviteve sportive.