Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5+4 për fundjavë!

5+4 për fundjavë!


Shkruan: G.P

22 October, 2021 @16:30

Na pret një fundjavë me shumë superndeshje, e veçanërisht dita e diel është e mbushur me takime interesante!

Këtë fundjavë kemi zgjedhur 5+4 ndeshje për të mos u humbur. Katërshen “ekstra” e gjeni në fund të artikullit.

Që të mos i zgjedhim të gjitha nga dita e diel, i kemi ndarë dy takime të mira edhe për të shtunën.

1. Brighton - Manchester City (e shtunë, 18:30)

Të martën në Belgjikë ndaj Club Brugget, Manchester City zhvilloi ndoshta paraqitjen më të mirë të këtij sezoni.

Bernardo Silva e ka rigjetur formën që e pati dy sezone më parë, e fakti që Sterling duket drejt largimit nuk po bie në sy për shkak të “thellësisë” së madhe të lojtarëve që ky klub ka.

Këtë fundjavë, City udhëton në Brighton për t’u përballlur me skuadrën vendase të Brightonit, që këtë sezon e ka nisur mjaft mirë.

Brightoni vazhdon të mbetet një prej skuadrave me lojën më të këndshme në Angli, ndërkohë që problem vazhdon ta ketë finalizimin e akcioneve. Sikur City, edhe Brightoni ka vetëm 1 humbje sivjet dhe në tabelë ndodhet vetëm një pozitë më poshtë se City.

Do të jetë ndeshje shumë e hapur dhe e bukur për t’u shikuar, normalisht me Cityn favorit për fitore.

 

2. Bologna - Milan (e shtunë, 20:45)

Tri humbje në tri ndeshje për Milanin në grupet e Ligës së Kampionëve. Në dy ndeshjet e para luajti mirë, ndonëse u mposht, e ndaj Portos këtë mesjavë nuk tregoi asgjë dhe me meritë u mposht.

Ndërkohë, në ligë Milani po bën mirë, por të shohim se a do të zgjasë kjo ecuri më shumë se në sezonin e kaluar.

Këtë të shtunë ndaj Bolognës, Milanin nuk e pret punë aq e lehtë. Bologna dy xhiro më parë e deklasoi keq Lazion 3-0 dhe në përgjithësi këtë sezon ka treguar paraqitje të mira. Jo rastësisht ndodhet e teta në renditje.

Duke ditur që Napoli, lideri, luan në udhëtim te Roma dhe mund të lëshojë pikë, Milani me një fitore ndaj Bolognës mund ta mbyllë xhiron e vetme në krye të renditjes apo me pikë të barabarta me liderin në elitën e futbollit italian.

 

3. Barcelona - Real Madrid (e diel, 16:15)

“El Clasico” që e gjen Barcelonën më të dobët se ç‘mbahet mend. Jo që Real Madridi është në kulmin e tij, por megjithatë është dukshëm të paktën më mirë i menaxhuar sesa Barcelona.

Të dyja fituan në mesjavë në Ligën e Kampionëve, e të dyja do të duan ta fitojnë derbin e së dieles në Camp Nou.

Karim Benzema po tregon formë mbresëlënëse përsëri, e lajm i mirë është edhe rikthimi i Mendyt, që luajti mjaft mirë ndaj Shakhtarit në mesjavë.

Te Barcelona, Depay po kalon një sezon të mirë si me klub e ashtu edhe me kombëtare, ndërkohë që edhe rikthimi i Fatit është i mirëpritur për skuadrën e Koeman.

Është “El Clasico” dhe nuk ka nevojë për shumë reklamë, duhet të shikohet.

 

4. Manchester United - Liverpool (e diel, 17:30)

Klasikja angleze, dy skuadrat më të mëdha të vendit.

Përballja e kësaj fundjave e gjen Liverpoolin në gjendje përgjithësisht më të mirë, me Manchesterin që po vazhdon të ketë problemet e vjetra.

United fitoi me përmbysje ndaj Atalantës në mesjavë, por nëse e njohim stilin e lojës së Atalantës, e kuptojmë që ai stil është pikërisht stili me të cilin United do të kishte dëshirë të përballet çdo javë. Kur kundërshtari luan hapur dhe mbrohet në stilin “1 për 1”, United shpërthen, sepse ka hapësirë të sulmojë më tepër. E kemi parë edhe ndaj Leedsit në dy sezonet e fundit, ndaj të cilit United ka fituar me goleada.

Prandaj, test i vërtëtë për Unitedin do të jetë Liverpooli, në krye me Salahun e pandalshëm.

Mbrojtja e Liverpoolit ndaj Atleticos nuk është se shkëlqeu, por skuadra në përgjithësi tregoi karakter të fortë dhe në fund arriti fitore ndaj një kundërshtari shumë të fortë.

Befasi do të ishte nëse nuk shënojnë të dyja së paku nga një herë. Padyshim që është ndeshje për t’u shikuar!

 

5. Inter - Juventus (e diel, 20:45)

E diela mbrëmë mbyllet me ndeshjen Inter - Juventus. Ky takim nis me Interin më favorit në letër, por që bie në sy dukshëm që Juventusi dalëngadalë e ka marrë veten dhe nuk është ai i fillimit të sezonit.

“Zonja e Vjetër” ka renditur 6 fitore radhazi në të gjitha garat dhe padyshim që është përmirësuar, e një fitore e mundshme ndaj Interit do ta rikthente fuqishëm në garën për më të mirin e Italisë.

Interi, favoriti personal për titull në Itali, u mposht xhiron e kaluar nga Lazio dhe nuk do të dëshironte të lëshonte përsëri pikë.

Ia vlen të shikohet kjo ndeshje!

 

Përveç 5 ndeshjeve të zgjedhura, nga kjo fundjavë duhet t’i përmendim edhe katër takime që padyshim se janë për t’u shikuar. West Ham - Tottenham (e diel, 15:00), Ajax - PSV (e diel, 16:45), Roma - Napoli (e diel, 18:00) dhe Marseille - Psg (e diel, 20,45) janë katërshja e zgjedhur “ekstra” për t’u shikuar këtë fundjavë.

“E keqja” e vetme është që shumë herë disa ndeshje të mira luhen në të njëjtën kohë dhe nuk mund t’i shikojmë të gjitha…


 
Të gjitha lajmet nga Premier League