Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MBYLLET AVENTURA E GIRESSE ME KOSOVËN

6 ndeshje radhazi pa fitore, FFK shkarkon Alain Giressin

Alain Giresse — sa ishte selektor i Kosovës regjistroi një fitore në 3.5 ndeshje/ Foto: FFK (arkiv)

6 ndeshje radhazi pa fitore, FFK shkarkon Alain Giressin


20 June, 2023 @15:11

Nuk shkoi asgjë sipas planit. Si ishte hedhur shorti për Kampionatin Evropian EURO 2024 në Gjermani dhe me tu parë kundërshtarët aty si dhe duke ditur formën aktuale të kombëtareve më mirë të renditura se Kosova, ishte nisur entuziazmi se kësaj radhe evropiani do të realizohet për Kosovën.

Por, fitorja nuk erdhi asnjëherë në vitin 2023. Nga katër ndeshje kualifikuese të zhvilluara për EUR0 2024 Kosova ka arritur tri barazime dhe një humbje, që çuan në shkarkimin e selektorit francez, Alain Giresse.

Giresse & Ademi

Ky i fundit në fakt, kishte hasur kritika të mëdha në përballjen ndaj Andorrës, ku pas barazimit ndaj Izraelit, Kosova nuk arriti ta fitojë në shtëpi Andorrën. Rastet e humbura përkundër lojës së mirë ndaj Rumanisë nuk sollën gol, në ndeshjen e tretë, kurse kupa u mbush mbrëmë kur pas gabimeve trashanike të individëve në lojë, Bjellorusia mori fitoren e parë në ndeshje zyrtare pas 15 lojërave, duke e mposhtur Kosovën në Budapest 2-1, në stadiumin e zbrazët.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri të ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2). Federata e Futbollit e Kosovës e falënderon trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës. Në të ardhmen priten reforma të mëtejshme në ekipin kombëtar,” — ka shkruar FFK-ja në njoftimin e sotëm, pasi që Giresse kishte dalë nga zyret e Federatës, ku kishte mbetur me bashkëpunëtorin e tij rreth një orë.

Me rezultatet e deritashme në kualifikime për EURO 2024, Kosovës ndoshta iu humb mundësia më e mirë për një EURO, ndërsa tash në përballjet e mbetura vetëm mrekullia do të mund t’i shpëtojë, derisa gjasat reale janë më pak se 10% për të arritur evropianin në Gjermani.

Agim Ademi & Alain Giresse

Giresse ishte emëruar përzgjedhës i Kosovës më 23 shkurt të vitit 2022. Ai nuk arriti ta nxjerrë Kosovën nga Liga C e Kombeve, derisa ekipi luftoi deri në xhiron e fundit për të mbijetuar aty. Me entuziazëm u prit edhe shorti për EURO2024, ndërsa kundërshtarët si Izraeli, Rumania, Bjellorusia e Andorra llogariteshin si të kalueshme duke parë formën dhe gjeneratën që kanë, pos Zvicrës që pritej të ishte lidere e grupit.

Por, plani në fushë nuk shkoi assesi. Kualifikimet u nisën me tri barazime, ndërsa humbja e mbrëmshme, kur pritej këndellja para shtatorit — bëri që gjithçka të shpërthejë në kombëtare, derisa pos kapitenit Amir Rrahmani asnjë lojtar nuk foli për mediat pas disfatës së turpshme nga bjellorusët, që erdhi me gabimet e lojtarëve!

Selektori natyrisht, në këto raste është viktima e parë dhe kryesore, ndërsa FFK nuk vonoi dhe një ditë pas ndeshjes e shkarkoi ish-lojtarin e reprezentacionit francez gjatë viteve të ‘80-ta të shekullit të kaluar. Giresse pas ndeshjes kishte thënë se duhet analizuar situata, ndërsa kapiteni Rrahmani tha se shumë gjëra nuk po shkojnë si duhet, derisa përgjegjësia është te secili lojtar, pas aksionit të bjellorusëve që në sekondën e 20 të ndeshjes - paralajmëroi rënien e ëndrrës, ndoshta të fryer, të Kosovës në këto kualifikime si dhe nxorri në pah mos-harmoninë mes futbollistëve, të cilët kualifikimet e qershorit i nisën me dasëm!

REZULTATET E GIRESSE ME KOSOVËN:

24.02.22 Kosova 5-0 Burkina Faso (miqësore)
29.03.22 Zvicra 1-1 Kosova (miqësore)
02.06.22 Qipro 0-2 Kosova (liga e kombeve)
05.06.22 Kosova 0-1 Greqia (liga e kombeve)
09.06.22 Kosova 3-2 Irlanda V (liga e kombeve)
12.06.22 Greqia 2-0 Kosova (liga e kombeve)
24.09.22 Irlanda V 2-1 Kosova (liga e kombeve)
27.09.22 Kosova 5-1 Qipro (liga e kombeve)
16.11.22 Kosova 2-2 Armenia (miqësore)
19.11.22 Kosova 1-1 Ish. Faroe (miqësore)
25.03.23 Izraeli 1-1 Kosova (kual. euro)
28.03.23 Kosova 1-1 Andorra (kual. euro)
16.06.23 Kosova 0-0 Rumania (kual. euro)
19.06.23 Bjellorusia 2-1 Kosova (kual. euro).

TOTALI SIPAS LLOJIT TË NDESHJEVE:

Miqësore: 1 fitore, 3 barazime;
Liga e Kombeve: 3 fitore, 3 humbje;
Kualifikime për EURO: 3 barazime, 1 humbje;

TOTALI I PËRGJITHSHËM:

Kosova nën Giresse: 4 fitore, 6 barazime, 4 humbje.
Mesatarja e fitoreve: 1 fitore në 3.5 ndeshje;
Pikë për ndeshje: 1.2.◼️


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian