TE PRISHTINA
7 të larguar nga Prishtina prej se erdhi Ibrakovic
11 January, 2022 @19:13
Me largimet e sotme te kampionia aktuale e Kosovës, Prishtina, numri i të larguarve nga skuadra prej se ka ardhur trajneri boshnjak në ekip - ka shkuar në shtatë.
Prishtina emëroi trajnerin Abdulah Ibrakovic në krye të shtabit teknik më 17 nëntor 2021, ndërsa largimet nisën që në fillim të dhjetorit.
Thuajse të gjithë lojtarët e larguar janë në moshën 30+ ndërsa jozyrtarisht thuhet se të gjithë kanë pasur paga të majme, derisa kontributi i tyre në fushë ka qenë nën pritje.
Kështu, pas emrave si Besart Berisha, Sabien Lilaj, Kristi Vangjeli, Florent Avdyli sot është bërë e ditur se nga bardhekaltërit janë ndarë edhe Sodiq Atanda, Xhevdet Shabani dhe Olt Mehmeti.
Përndryshe, Prishtina ka nisur përgatitjet për pjesën pranverore të stinorit më 5 janar. Stërvitjet ekipi po i mban në fushën e saj në Bërnicë, pastaj në sallë të mbuluar e në parkun e Gërmisë. Këtyre, kampionët po i shtojnë edhe ushtrimet e forcës, që po i bëjnë në sallë të fitnesit, ka bërë të ditur klubi.
Vjeshtën në Superligë Prishtina e ka përfunduar në mes të tabelës, duke “fjetur” në pozitën e pestë me bilans të barabartë në të gjitha anët: 6 fitore, 6 barazime e 6 humbje.