FITORE E MADHE, PËR KREUN E RENDITJES
‘89-shi fiton derbin dhe merr kreun!
5 April, 2024 @20:35
Trepça’89 e Shpëtim Idrizit ka fituar derbin ndaj Dinamos së Ferizajit sot në “Riza Lushta” dhe tashmë ka marrë kreun së paku sot e nesër, derisa Suhareka të luajë lojën e radhës.
Ekipi i mitrovicasve ka treguar karakter karshi Dinamos së Bylbyl Sokolit që tashmë ka dy humbje nën drejtimin e trajnerit në fjalë dhe qysh prej fillimit të stinorit për herë të parë ka rënë në vend të tretë!
Beçka i dha epërsinë Trepçës’89, ndërsa Kenan Orana barazoi pak para se skuadrat të shkojnë në pushim, kur ky i fundit u asistua nga Dren Gashi. Beçka ndërkaq, kur shënoi pranoi një asistim të mirë nga Armend Gashi.
Në pjesë të dytë, Dinamoja edhe pse kërkonte, nuk arrinte të shpërthente Trepçën’89 që shfrytëzoi momentin e mirë dhe zëvendësuesi Ardian Hasani shënoi për fitore, Trepça’89 - Dinamo 2-1 [Kostika Beçka 23’, Ardian Hasani 66’ - Kenan Orana 45’].
Deri në fund, rezultati nuk u ndërrua ndërsa ekipi i Trepçës’89 festoi gjatë fitoren që i çoi në krye të tabelës për herë të parë këtë stinor në Ligën e Parë - Grupi A dhe tashmë kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të stinorit lufta për Superligë në këtë grup është ndezur plotësisht.
Trepça’89 ka 39 pikë nga 21 ndeshje, një më shumë se Suhareka që ka edhe një lojë më pak të luajtur. E Dinamoja tash mbetet me 37 pikë, pas 21 ndeshjesh.