KAPITENI MUND TË MUNGOJË
Amir Rrahmani - në dyshim për ndeshje ndaj Izraelit
9 November, 2023 @14:36
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ende nuk e di nëse do të mund të jetë pjesë e ndeshjes ndaj Izraelit, në ftesat që do t’i bëj Primoz Gliha në nëntor, për ndeshjet e fundit të Kosovës në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024.
Sipas njoftimit të fundit, Napoli po mendon ta shfrytëzojë futbollistin për të dielën, kur ekipi luan ndaj Empolit. Por, ende nuk është vendosur asgjë.
Kjo, pasi që ndeshja Kosova - Izraeli ka qenë e paraparë të luhet në tetor. Mirëpo, për shkak të situatës atje, Izraeli nuk luajti asnjë ndeshje në muajin e kaluar. Këtë muaj, UEFA vendosi këtë ndeshje ta caktojë më 12 nëntor, që është dita e vetme e lirë për tu luajtur ky duel.
Datat e caktuara prej më herët, për ndeshjet e nëntorit janë prej 16 nëntor deri 21 nëntor.
Kosova në nëntor luan tre duelet e fundit në kuadër të kualifikimeve për “Gjermania 2024”, ndërsa më 12 nëntor pret Izraelin. Më 18 nëntor është mysafire e Zvicrës, kurse kualifikimet i mbyll më 21 nëntor në përballje ndaj Bjellorusisë në Prishtinë.