Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MEDIA TALK

Amir Rrahmani tregon se pse vendosi për të kaluar te Napoli

Amir Rrahmani tregon se pse vendosi për të kaluar te Napoli


31 May, 2020 @20:09

Mbrojtësi i Veronës, Amir Rrahmani, ka pasur një numër të madh ofertash për të ndërruar ambient, e sot i ka treguar Corriere dello Sportit pse e ka përzgjedhur pikërisht Napolin për të qenë ekipi i tij i ardhshëm.

“Më duhet ta pranoj, nuk e kam pritur që të zgjojë interesimin e klubeve tjera pasi që erdha te Verona në fillim. Kisha oferta dhe të interesuar nga vendet tjera, por posa më erdhi mundësia për tu ngritur në Itali, i fshiva të tjerat si opcione,” i ka thënë kapiteni i reprezentacionit të Kosovës, Rrahmani, gazetës në fjalë.

“Unë e kam ditur se vetëm Serie A mund të më lejojë të bëj atë që e bëj më së miri. Ka qenë e njëjta edhe këtu, do të jetë edhe te Napoli. Bile edhe trajneri Ivan Juric më ka thënë që t’i premtoj se të njëjtën performancë ta tregojë edhe te napolitanët. Besoj që edhe këtë premtim do ta mbaj, pasi që e vetmja gjë që e bëj në futboll është profesionalizmi,” ka thënë më tej kosovari.

Sa i përket ish ekipit ai ka thënë se nuk do ta harrojë kurrë mundësinë e dhënë.

“Natyrisht që Veronën do ta mbaj mend dhe u jam falenderues. Por mundësia për të qenë te Napoli dhe për të pasur ambicie të mëdha në çdo garë, është tjetër. E kam pranuar këtë ofertë me dy duart, pa harruar asnjëherë dhe duke e falenderuar përherë klubin që më ka ndihmuar të arrij në këtë pikë,” ka përfunduar Rrahmani.

Amir Rrahmani verën e kaluar erdhi te Verona nga Dinamoja e Zagrebit dhe me lojëra të mira, që në gjysmëstinor tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve.

Ai pranoi ofertën e Napolit, që pagoi 14 milionë euro dëmshpërblim në drejtim të veronezëve, ndërsa ka lënë Rrahmanin që të kryej stinorin si huazim te Verona, para se të vesh fanellën e ekipit të tij të ri - Napoli.


 
Të gjitha lajmet nga Serie A