TREPÇA 89 2-1 GJILANI

Foto: B. Pllana/ Trepca89/fb
Arbnor Muja nxjerr ‘89-shin nga rreziku
9 May, 2021 @17:12
Qoftë edhe përkohësisht, qoftë për një xhiro të vetme - Trepça’89 e Shpëtim Idrizit do të marrë frymë më lehtë, pasi që me sulmuesin Arbnor Muja në pjesë të dytë ata kanë përmbysur epërsinë e hershme të Gjilanit pa-brenga këto ditë, për të fituar ndeshjen dhe për të dalë nga zona e rrezikshme e Superligës.
Trepça’89 me një konsolidim në pjesë të dytë të ndeshjes ka mposhtur Gjilanin e drejtuar nga Ismet Munishi 2-1 [Arbnor Muja 56, 69 — Shend Kelmendi 22].
Gjilani si elektron i vetëm i lirë në Superligë nisi më mirë ndeshjen dhe e gjeti golin në minutën e 22 të ndeshjes, kur sulmuesi prishtinas Shend Kelmendi shënoi për avantazh të ekipit.
Mirëpo, më pas vendasit disi u këndellën dhe duke pasur dëshirën më të madhe si dhe duke ditur rrezikun që iu kanosej dhanë edhe atomin e fundit të energjisë për të fituar në fund.
E më meritori për këtë ka qenë Arbnor Muja, që brenda pak minutash tundi dy herë rrjetën e mysafirëve, për të sjellë gëzimin e madh në Riza Lushta sot.
Muja së pari shënoi për barazim në minutën e 56 të ndeshjes, ndërsa 13 minuta më vonë dha edhe epërsinë ekipit të tij për t’ia sjellë kështu një 3-pikësh të nevojshëm, si ujë.
Derisa Gjilani vazhdon të mbetet i pakërcënuar në pozitë të katërt, ‘89-shi tash vetëm disa ditë ka kokën rehat nëse e shikon tabelën dhe me dëshirë të njëjtë duhet futur edhe në përballjet e fundit për të shpëtuar stinorin.