Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TREPÇA'89 1-0 DRENICA

Armend Gashi i sjell fitore të rëndësishme Trepçës’89

Armend Gashi i sjell fitore të rëndësishme Trepçës’89


5 November, 2022 @17:50

Kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë, Armend Gashi shënoi, ndërsa Trepça’89 fitoi ndeshjen ndaj Drenicës, një fitore kjo që i dha jetë mitrovicasve pas humbjes së thellë në xhiron e shkuar nga Malisheva.

Trepça’89-Drenica 1-0 [Armend Gashi 80]. Gashi ia solli fitoren e tretë të stinorit minatorëve, ndërsa në gëzim për golin e shënuar ai doli jashtë, pasi që mori kartonin e dytë të verdhë pas zhveshjes së fanellës duke festuar, për ta lënë ekipin në momente kritike me 10-lojtarë në fushë.

TABELA AKTUALE

Tentimi i Drenicës shkoi deri në fund, në ndeshjen që shkoi deri te minuta e 95, por për fat të ekipit të Shpëtim Idrizit rrjetat nuk u tundën më dhe ‘89-shi festoi. Pjesa e parë e ndeshjes kaloi në dominim të plotë të vendasve në Riza Lushta, ndërsa në momentet kur Drenica krijonte në pjesë të dytë ata pranuan gol, për tu mposhtur në fund.

“Me rëndësi që sot nuk pësuam gol, por sigurisht se është një fitore e madhe për ne. Duhet nganjëherë edhe neve të na buzëqeshë fati. Drenica u mbrojt mirë, por me angazhim dhe disiplinë arritëm të fitojmë tre pikë të rëndësishme në këtë ndeshje,” ka thënë Idrizi pas ndeshjes së fituar nga ekipi i tij. Në anën tjetër trajneri i Drenicës, Bekim Shotani e vlerësoi kështu rrjedhën e lojës: “Loja ishte e balancuar nga të dyja palët. Ishte nivel i mirë deri në momentin në pjesën e dytë ku mendoj se topi kaloi vijën anësore. Loja vazhdoi dhe ishte i vetmi gabim që bëmë, pasi u ndalëm dhe pësuam gol. Tentuam ta shënojmë golin e barazimit, ndërruam edhe sistemin e lojës ku edhe ndërtuam pastaj aksione të rrezikshme. Nëse topi ka kaluar vijën, do të ishte e dhimbshme të pësojmë disfatë në këtë mënyrë. Njëjtë edhe kundër Ferizajt ishte situata ku VAR-i nuk ndërhyri. Momenti më i dobët ka qenë ndalja e lojtarëve me pretendimin se topi kaloi vijën anësore. Merituam së paku një barazim në këtë ndeshje.”

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga