Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - LA FIORITA

Ballkani fantastik, kualifikohet dhe shkruan historinë

Ballkani fantastik, kualifikohet dhe shkruan historinë


26 July, 2022 @23:20

Pas fitores 0-4 në ndeshjen e parë në udhëtim, Ballkani ka shkëlqyer edhe në ndeshjen kthyese ndaj La Fioritas prej San Marinos.

Këtë të fundit skuadra suharekase e mposhti sonte me rezultat të thellë 6-0 në “Fadil Vokrri”, për të kaluar kështu në rrethin tjetër të UEFA Conference League.

Pasi ishte eliminuar nga Zalgiris në rrugëtimin drejt Ligës së Kampionëve, nata e sontme është historike për Ballkanin, pasi që për herë të parë në histori të klubit, suharekasit kalojnë një rreth të garave evropiane.

Me dominim total, lojë të bukur dhe në një atmosferë të bukur sportive nga të pranishmit në stadium, Ballkani e gjeti plot 6 herë rrjetën.

Albion Rrahmani zhvilloi paraqitje fantastike, duke shënuar hat-trick personal (6’, 8’, 69’), për t’u bërë kështu futbollisti i parë nga Superliga e Kosovës që shënon hat-trick në gara evropiane.

Dy herë e gjeti rrjetën Leonit Abazi (73’, 90+1’), kurse një herë tjetër shënoi Ermal Krasniqi (75’).

Vlen të përmendet që mysafirët luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 57’ e ndeshjes, kur u përjashtua mbrojtësi Alessandro Romagna.

Njëkohësisht, kjo është fitorja më e thellë e një klubi kosovar në gara evropiane. Deri më sonte, këtë rekord e mbante Prishtina me fitoren 5-0 ndaj skuadrës FC Europa nga Gjibraltari (sezoni 2018/2019).

Në rrethin e tretë të UEFA Conference League, Ballkani do të përballet me fituesin e duelit Sutjeska – Klaksvik. Ndeshja e parë mes këtyre dy të fundit ka përfunduar 0-0, e nesër (27 korrik) zhvillohet ndeshja kthyese në Ishujt Faroe.


 
Të gjitha lajmet nga Conference League