ARBËRIA 2-6 BALLKANI
Ballkani me rekord të stinorit, Daku hat-trick
11 March, 2021 @15:28
Ballkani sot ka shënuar fitore të lehtë ndaj Arbërisë si mysafire, në përballjen e zhvilluar në Zahir Pajaziti të Podujevës, ku si nikoqire luajti ekipi i Arbnor Morinës.
Suharekasit pas pjesës së parë 0-2, në pjesë të dytë kanë shpërthyer tërësisht për përfundimtaren 2-6 [Almir Kryeziu 65, Marclei 74p - Arbër Hoxha 33, Mirlind Daku 42, 66, 69, Nazmi Gripshi 50, Mevlan Zeka 78].
Sot Ballkani ka thyer edhe rekordin e golave të shënuar për një ndeshje këtë stinor, duke shënuar gjashtë herë - gjë që nuk e ka arritur askush në 2020/21.
Të drejtuar nga Bledi Shkëmbi, lojtarët e Ballkanit sot kishin edhe motiv shtesë për fitore, pasi që prisnin një gabim të Dritës për të marrë kreun.
Sidoqoftë, edhe pse kjo s’ndodhi, ekipit dukej se i është kthyer fryma e fillimit të stinorit kur shkatërronin gjithçka para vetes dhe kjo u dëshmua qysh në pjesë të parë, kur serinë e golave e hapi i rikthyeri nga lëndimi i gjatë Arbër Hoxha, ndërsa njëjtë edhe Mirlind Daku iu kthye golave të shpeshtë të tij për të përfunduar ndeshjen me hat-trick.
Arbëria nuk është se nuk tregoi lojë, por thjesht Ballkani ishte më i mirë sot. Ndërsa kur futbolli është i hapur, djelmoshat e Morinës treguan se dinë të shënojnë dhe të rrezikojnë mirë, pasi që shënuan dy herë në portën e Kenan Haxhihamzës.
Në fund, Ballkani del në pozitë të dytë, duke e rikthyer Prishtinën në të tretën, ndërsa është dy pikë larg kryesueses - Drita.
Arbëria vazhdon të jetë e rrezikuar pasi që gjendet në pozitë të barazhit, por ka vetëm një pikë më shumë se Drenica në zonë të rënies.