LIRIA 0-1 MALISHEVA
Flamur Gashi hero, Malisheva ruan kreun në Prizren
11 March, 2021 @14:56
Malisheva ka shënuar fitore të vështirë në Prizren sot, duke e mposhtur Lirinë në “Përparim Thaçi” me rezultat minimal 0-1 [Albion Rrahmani 75p.].
Goli i vetëm i ndeshjes ka ardhur nga penalltia, e cila erdh pas një aksioni nga e majtë dhe në krosim të lojtarit të krahut, mbrojtësi i Lirisë preku topin me dorë, që çoi në penallti.
Rrahmani shënoi golin e shtatë të stinorit, duke u treguar i pagabueshëm nga pika e bardhë, duke shutuar në mes të portës së Drilon Hodajt për epërsi.
Liria shpejt mori iniciativën për të kërkuar golin e barazimit dhe shpresën për të luftuar për pozitat e epërme në tabelë. E këtë e arriti 10 minuta më vonë, kur lojtari i Lirisë u pengua në zonë, për të nxjerrë penallti për bardhezinjtë.
Por, mesfushori bullgar i ekipit Borislav Bladzhinski ka dështuar nga pika e bardhë, shutin e të cilit e priti portieri i Malishevës, Flamur Gashi - që për ironi ka qenë portier i dikurshëm i prizrenasve.
Fitorja mban Malishevën e Arsim Thaçit në krye të renditjes së Ligës së Parë A, derisa Liria tashmë vetëm teorikisht do të mund të shkojë drejt Superligës.
Përndryshe, kjo është humbja e parë në kampionat për trajnerin e ri të Lirisë Naci Sensoy, prej se mori drejtimin e klubit ai.