Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LLAPI - BALLKANI

Barazim në Podujevë, Llapi shtyen festën e Ballkanit

Foto: FC Llapi / FB

Barazim në Podujevë, Llapi shtyen festën e Ballkanit


1 May, 2022 @17:10

Ndonëse është afër të ndodhë, shpallja zyrtare e Ballkanit kampion është shtyrë të paktën edhe për një xhiro.

Kjo për shkak që Llapi i Tahir Batatinës e ndali sot në barazim 1-1 (Kastriot Selmani 62’ / Ermal Krasniqi 16’) Ballkanin, me ç‘rast festa e këtij të fundit është shtyrë paksa, pasi që Ballkanit tashmë i duhet edhe 1 pikë për ta siguruar edhe matematikisht titullin kampion.

Në futbollin e Kosovës, nëse skuadrat kanë pikë të barabarta, shikohen përballjet direkte mes skuadrave. Deri më tash, Ballkani ende nuk i ka luajtur të katër ndeshjet e sezonit ndaj Gjilanit, me ç‘rast i duhet edhe 1 pikë për ta fituar titullin, pasi që për momentin ka 12 pikë më shumë se Gjilani kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në fund.

Goli i epërsisë për Ballkanin erdhi në minutën e 16’, kur Ermal Krasniqi shënoi pas topit të rikthyer nga portieri vendas. Më pas, ndonëse loja ishte mjaft e fortë dhe kishe mundësi për gol, pjesa e parë nuk prodhoi ndonjë tjetër gol dhe skuadrat shkuan në pushim mes pjesëve me epërsinë minimale të Ballkanit.

TABELA AKTUALE

Pjesa e dytë filloi me hudhje të gjësendeve në fushë të tifozëve të Llapit, kurse rastin e parë të mirë në këtë pjesë e pati Armend Thaqi i Ballkanit, i cili në minutën e 49’ e goditi shtyllën.

Rast të mirë për Llapin 10 minuta më vonë kishte Valmir Veliu, gjuajtja e të cilit me kokë u prit nga Stivi Frashëri, ndërsa goli i barazimit erdhi rreth 5 minuta pas atij rasti.

Gjuajtjen e Kastriot Selmanit nga gjuajtja e lirë, e devijoi Armend Thaqi, për ta çuar kështu topin në portën e tij dhe rrjedhimisht rezultati u barazua në 1-1.

Në vazhdim të ndeshjes, për të dyja skuadrat pati plot raste për shënim, por portat më nuk u preken dhe ndeshja u mbyll me barazim.

Në minutën e 77’, Lumbardh Dellova i Ballkanit u përjashtua me karton të kuq direkt, por kjo nuk luajti rol në rezultatin final të ndeshjes.

Kështu, Ballkani titullin mund ta sigurojë me vetëm një pikë në katër ndeshjet e mbetura, kurse Llapi vazhdon luftën për vendet dy dhe tre në renditje, si dhe për triumf në Kupën e Kosovës, ku ndodhet në finale.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga