GREQIA 1-1 KOSOVA
Barazim! Të fundit në grup, me pikë rekorde
14 November, 2021 @22:37
Kosova ka barazuar për herë të dytë me Greqinë në grup, ndërsa ka përfunduar e fundit në Grupin B kualifikues për Botëror.
Mirëpo, pikët e fituara të Kosovës në një kualifikuese për Botëror janë rekorde, pasi që me pesë pikë të fituara kësaj radhe, ekipi i nisur nga Challandes dhe i përfunduar me Glihan në krye, ka fituar pesë pikë në fund të kampanjës.
Sa i përket ndeshjes, Greqia ka dominuar në të shumtën e kohës, ndërsa portieri Muric ka bërë disa intervenime të mira për të shpëtuar portën. Për Muric kjo ndoshta ishte paraqitja e tij më e mirë me fanellën e Kosovës.
Grekët erdhën në epërsi me golin e Masouras në fund të pjesës së parë, ndërsa Kosova reagoi me Rrahmanin në minutën e 76’ për përfundmitaren 1-1 [Masouras 44 - Rrahmani 76].
Sa i përket rasteve të Kosovës, Vedat Muriqi pati një rast të mirë, kur e goditi shtyllën në fillim të pjesës së dytë, Valon Berisha gjithashtu pati një rast tejet të mirë më vonë, e Edon Zhegrovës në fund iu mohua një super mundësi pasi që kaloi thuajse tërë mbrojtjen e grekëve, për të përfunduar topi në korner. Ky i fundit ishte ai që e ngjalli lojën e Kosovës kur u inkuadrua në lojë, pasi që përveç asistimit te goli i shënuar, rrezikoi edhe në disa raste të tjera me shpejtësinë e tij nga krahu i djathtë.
Në fund, Kosova përfundon e pesta në grupin kualifikues drejt Katarit, derisa Spanja lidere siguroi Botërorin e Suedia duhet të kërkojë biletën përmes PlayOffit. Greqia përfundon e treta e Gjeorgjia e katërta.
Pushimi i ardhshëm i kombëtareve do të jetë në muajin mars të vitit të ardhshëm, ku Kosovën mund ta shohim nën drejtimin e ndonjë trajneri të ri.