PRISHTINA - BASHKIMI
Bashkimi fiton, Prishtinës nuk i kryen punë as Radovic e LeDay
10 January, 2021 @18:27
Skuadra e Bashkimit ka shënuar fitore sot në ndeshjen e fundit të gjysmëstinorit të parë, duke e mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 80-89.
Vendasit në këtë ndeshje patën disa ndryshime në përbërje, pasi që u paraqitën për herë të parë me përforcimin e ri të huaj, amerikanin Seth LeDay dhe trajnerin e ri , malaziasin Dragan Radovic, mirëpo as këto ndryshime nuk i kryen punë ekipit bardhekaltër.
Ndeshja ishte me rivalitet të barabartë, ndërsa mysafirët krijuan epërsinë në rezultat gjatë çerekut të tretë, të cilën arritën ta ruajnë deri në fund duke mos lejuar të rrezikohet fitorja në çastet e fundit.
Në fitoren e Bashkimit u dalluan treshja Sean Hoehn (22), KJ Robinson (19) dhe Musab Mala (17), kurse te Prishtina u dallua Meriton Ismajli (18) që u fut në lojë nga banka rezerve, si dhe Fisnik Rugova e Daniel Lekndreaj që shënuan nga 16 pikë secili.
Kjo është fitorja e tetë e Bashkimit krahas gjashtë humbjeve, derisa Prishtina me këtë ndeshje regjistroi edhe humbjen e dhjetë.