GJYSMËFINALJA E KUPËS
Besa harxhon kredinë në minutat e fundit
20 May, 2015 @18:09
Dy gola të shpejtë të shënuar pas minutës së 80-të të takimit, kanë lënë shpresa të mëdha për ekipin e Afrim Tovërlanit, Trepça’89, për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll.
Besa kishte epërsi 3-0 deri 10 minuta para fundit të ndeshjes, me lojën shumë të mirë të treguar.
Mirëpo, Ibrahim Peci me një goditje të fortë dhe Blerand Kurtishaj, kanë zbehur gjasat e Besës me golat e tyre të shënuara brenda 5 minutave.
Kastriot Rexha kishte hapur serinë e golave për ekipin e Arbnor Morinës, në fillim të takimit, për të vazhduar në fillim të pjesës së dytë me golat e Fetim Kasapit dhe Fatih Karahodës.
Tash ndeshja e kthimit në Mitrovicë, pritet të jetë tejet interesante me këtë rezultat, derisa data e ndeshjes pritet të përcaktohet.