LUFTA PËR TITULL
Besa ndjek titullin
13 March, 2016 @15:37
Lufta për titullin e kampionit në Kosovë bëhet edhe më e nxehtë. Në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, Besa e mposhti skuadrën kampione në fuqi të Kosovës, për t’u afruar edhe më tepër me skuadrat që po luftojnë për titullin kampion.
Ferronikeli, në mungesë të Behar Maliqit e Mentor Zhdrellës, nuk arriti të dilte me pikë nga “Shahin Haxhiislami”. Skuadra nga Drenasi kaloi e para në epërsi me golin e Mark Milicajt, lojtari i cili erdhi pikërisht nga Besa gjatë afatit kalimtar, mirëpo vendasit e përmbysën rezultatin. Golat për skuadrën vendase u shënuan nga Dejan Damjanovic dhe Fetim Kasapi dhe ndeshja u mbyll me rezultat 2-1.
Në fund të takimit, me karton të kuq u përjashtua mbrojtësi pejan Fisnik Papuqi, mirëpo kjo nuk ndikoi në epilogun përfundimtar të takimit.
Me këtë disfatë Ferronikeli ka humbur kreun e klasifikimit, ndërsa Besa i është afruar luftuesve për titull.