PËRGJIGJJA E DE BIASIT
Besart Berisha, s’ka vend në EURO 2016
10 November, 2015 @23:18
Përkundër formës së jashtëzakonshme që po kalon në elitën e futbollit australian, Besart Berisha, nuk do të ketë asnjë mundësi që të jetë në listën e 23 lojtarëve të Gianni De Biasit si pjesë e kuqezinjëve në udhëtimin historik.
Këtë e ka bërë të qartë De Biasi sot në konferencë për shtyp para mediave shqiptare, ndërsa kur u pyet për Berishën që ka fituar disa trofe në vitet e fundit në A1 League të Australisë, ai ka qenë i prerë.
“Zero shansa. Berisha nuk ka ardhur në fillim dhe s’ka për të qenë as në Europian,” ka qenë përgjigjja e strategut 56 vjeçar italian dhënë gazetarëve në konferencë për shtyp sot.
Shqipëria më 13 nëntor luan miqësore ndaj Kosovës ndërsa me datën 16 nëntor pret Gjeorgjinë.
Berisha tash 30 vjeçar ka veshur 14 herë fanellën kuqezi. Ai ka qenë pjesë e kualifikimeve për EURO 2008 dhe për Kampionatin Botëror “Afrika Jugore” 2010 dhe nuk ka shënuar asnjë gol në 434 minuta sa ka qenë në fushë për këto vite.