Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PLAY OUT: VUSHTRRIA - MALISHEVA

Bindshëm ndaj Vushtrrisë, Malisheva mbetet në Superligë!

Bindshëm ndaj Vushtrrisë, Malisheva mbetet në Superligë!


28 May, 2022 @18:09

Malisheva të paktën edhe për një vit pjesë e Superligës!

Malishevasit e drejtuar nga Arsim Thaqi e mposhtën sot Vushtrrinë në finalen e Play Out-it, për ta siguruar qëndrimin në elitë të paktën edhe për një sezon.

Takimin e luajtur në “Zahir Pajaziti” Malisheva e fitoi me rezultat 1-3 (Medin Gashi 90+17’ / Yoan Marc-Olivier 17’, Mërgim Pefqeli 26’, 90+4’ (P)).

I asistuar nga Ronald Sobowale, Yoan Marc-Olivier shënoi mjeshtërisht me të djathtën në minutën e 17’ për epërsinë fillestare të Malishevës. Nëntë minuta më vonë për 0-2 shënoi Mërgim Pefqeli, me golin e të cilit Malisheva e gjeti qetësinë për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Në vazhdim, vushtrriasit provuan që herë pas here të rrezikonin, mirëpo malishevasit me përvojë e menaxhuan mjaft mirë epërsinë e krijuar, për ta fituar kështu takimin vendimtar të sezonit

Rreth minutës së 80’, pasi gjyqtari akordoi penallti për Malishevën, tifozët e Vushtrrisë shqyen rrjetën e portës së tyre, gjë që çoi deri te ndërprerja e ndeshjes. Në ndërkohë, pati edhe thyerje të karrigeve të stadiumit të Llapit, stadium ky që është rinovuar së fundi.

Pas rregullimit të rrjetës, ndeshja filloi përsëri dhe Malisheva e gjeti edhe golin e tretë (90+4’) nga pika e bardhë përmes Mërgim Pefqelit për 0-3 të Malishevës.

Krejt në fund, vushtrriasit e shënuan golin e nderit (90+17’) përmes Medin Gashit me kokë dhe rrjedhimisht ndeshja u mbyll me rezultat 1-3.

Kështu, Malisheva mbetet të paktën edhe për një vit në elitën e futbollit kosovar, nga Liga e Parë në Superligë inkuadrohen Ferizaj e Trepça ‘89, kurse Vushtrria do të garojë në Ligën e Parë minimalisht edhe për një sezon.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga