HUNGARIA 0-1 SHQIPËRIA

Foto: FSHF
Broja vendos përsëri! Shqipëria afron ëndrrën për Botëror
9 October, 2021 @22:41
Armando Broja është treguar përsëri vendimtar, derisa Shqipëria ka arritur të mposht përsëri Hungarinë me rezultat minimal për të marrë tri pikë të arta në Budapest sonte.
Iu deshën vetëm 13 minuta lojë Brojës, kur zëvendësoi Myrto Uzunin që nuk shënoi nga tri super raste që i kishte, për të shënuar me veprim individual për fitoren e kuqezinjëve, 0-1 [Armando Broja 79].
Tri pikët e radhës mbajnë Shqipërinë në vend të dytë të renditjes tabelare të Grupit I kualifikues për Botëror, ndërsa gjasat për të arritur PlayOffin e Botërorit të Katarit 2022 tashmë duken reale. Në përballjen e radhës duhet mposhtur Poloninë të martën.
Kuqezinjtë arrijnë rekord pikë të fituara në kualifikime për Botëror. Armando Broja shënon dy herë në dy ndeshje radhazi të kuqezinjëve ndaj Hungarisë, për t’i sjellë dy fitoret e para dhe historike të tyre ndaj hungarezëve.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Shqipëria nisi ndeshjen si zakonisht me 3-5-2, me Myrto Uzunin e Sokol Cikalleshin në sulm. Kontrollin e lojës e mbajti, derisa Hungaria as hija e asaj që shihej në EURO.
Më pas Klaus Gjausla merr kontrollin, ndërsa Keidi Bare punëtor furnizon krahët dhe sulmin për të bërë më tepër. Vjen rasti i artë me Uzunin (42) që nuk shënon, ndërsa referi sinjalizon ofsajd.
Pa zëvendësime në pjesë të dytë, Gjasula me faul taktik ndalë kundërsulmin hungarez dhe merr karton, ndërsa 4 minuta më vonë nga kjo, Uzuni përsëri tenton mirë, por s’shënon (65).
Reagon Edy Reja, duke larguar Cikalleshin e Uzunin, për të futur në lojën dyshen Armando Broja e Rey Manaj. E Broja duke shfrytëzuar aftësinë e tij, nga një top i ardhur nga Bare, çan vetë mbrojtësin hungarez nga krahu për tu futur në zonë dhe për të shënuar për fitoren e madhe.
Shqipëria mbetet në vend të dytë të renditjes me 15 pikë dhe është një pikë mbi Poloninë. Kuqezinjtë me fitore të martën më 12 tetor do të kenë rast të artë në dorë për PlayOff të Botërorit në Katar 2022.