Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

Analizë: 2019/2020

Bundesliga 2019/2020 - Parashikim

Bundesliga 2019/2020 - Parashikim


Shkruan. Luan MORINA

16 August, 2019 @13:58

Për herë të parë pas më shumë se një dekade, Borussia Dortmund do të duhej të ishte favorite për të fituar Bundesligën. Por, prapë nuk është. Bayern, ndonëse pa përforcime të pritura këtë verë (së paku deri tani), mbetet favorit për shkak të thellësisë së ekipit që ka.

Lucas Hernandez dhe Benjamin Pavard përforcojmë mbrojtjen e cila ishte nyja me e dobët e ekipit. Sanchez është rritur për një vit, gjersa iu kthehet Tolisso nga lëndimi. Largimi i Robben e Ribery nuk është aq shumë rrezik për Bundesligë pasi vetëm kanë Coman e Gnabry, të dy të denjë për të bartur ekipin, e në sulm, Lewandowski do të mbulohet nga Arp e si zakonisht Muller. Është e dyshimtë që Bayern do të mbyll sezonin me Perisic si ardhjen e fundit.

Ardhje të shumta, dhe një fitore kundër Bayern për të ngritur moralin, ka pasur tek Dortmund. Kanë sjell përvojë me Hummels në mbrojtje, bashkë me Nico Schulz në krahun e majtë. Mbrojtja, nëse u shpëtojnë lëndimeve është në rregull. Në mesfushën defansive kanë Weigl që ka fituar përvojë bashkë me Witsel e Delaney që sjellin përvojën e nevojshme. Larsen e Sancho do të ndihmohen nga Brandt e Hazard, pa harruar edhe liderin Reus. Edhe Gotze është aty si xhoker. Por, mbi të gjitha transferimi i Paco Alcacer ka dalë të jetë një ndër veprimet më të mençura të Dortmund viteve të fundit.

Duopolin për kreun e Bundesligës mund ta rrezikojë vetëm Leipzig. Tani me Julian Nagelsmann në timonin e ekipit, Leipzig duket të jetë afër pjekurisë si ekip. Me ardhjen e Nkunkus, mesfusha me talente si Adams e Haidara perfeksionohet, gjersa krahët kanë armë të reja në Lookman e Wolf. Forsberg e Sabitzer janë ata që sjellin stabilitetin dhe lidhjen kyçe me sulmin i cili edhe këtë vit së paku duket të ketë Timo Wernerin në ekip, bashkë me Poulsen e Augustin. Mendoj që më në fund është sezoni kur Leipzig do të duhej të rrezikonte seriozisht primatin e Bayernit dhe të stabilizohej si forcë në futbollin gjerman.

Leverkusen ka zbrazur mesfushën e Hoffenheim duke sjellë Demirbayin dhe Amirin, ndërsa ardhja e Diabyt dhe Sinkgraven duhet të rregullojë komplet anën e majtë të ekipit. Havertz dhe Bailey e kanë sezonin dëshmues për të ngritur çmimin dhe mbi të gjitha arsyetuar vlerën, ndonëse për gjermanin dyshoj që kemi nevojë për dëshmi shtesë për të parë mjeshtërinë që tregon me top. Sulmi mund të mbetet pak i lënë anash me Volland nga i cili pritet edhe një sezon mbi aftësitë e tij të rregullta. Leverkusenin për pozitën e katërt pritet ta sfidojnë Borussia Monchengladbach që nuk kanë bërë ndryshime të mëdha në ekip; Eintracht i Frankfurt që ka bërë ndryshime të mëdha në ekip; dhe ndoshta Wolfsburg, që ka bërë pak lëvizje në pozitat e nevojshme.

Kryesisht, ekipet e Bundesligës nuk çmenden pas shpenzimeve të shumta duke preferuar një stabilitet, edhe nëse rezulton me rënie nga liga. E për rënie nga liga këtë vit do të duhej të rrezikonin Freiburg, Padeborn, dhe Union Berlin. Augsburg gjithmonë sillet në këtë luftë, por këtë vit kanë provuar të marrin më seriozisht verën e transferimeve duke sjellë një portier me përvojë si Koubek dhe lojtarë nga Amerika Jugore, të cilëve zakonisht iu duhet kohë për t’u adaptuar. Një gjë e sigurt në lidhje me betejën për mbijetesë është që Schalke, Hertha, e as Koln s’do të jenë atypari.

Mainz e Fortuna janë të afta për mesin e tabelës, ngjashëm si Werderi i Rashicës i cili ka sjellë dy qendërmbrojtës për të siguruar edhe më shumë repartin tashmë stabil të mbrojtjes, si dhe një sulmues në Niclas Fullkrug. Pritet nga Miloti që të vazhdojë super-formën e tij dhe të vesh këpucët e Tim Kruses i cili u largua për një ekip shumëfish më të dobët si Fenerbahce. Kruse nuk është i vetmi që bëri gabime në përzgjedhje këtë vit!

Bundesliga është liga më e këndshme e futbollit në Evropë. Atmosfera në tribuna dhe mundësia e ngjarjeve të paparashikueshme e bëjnë këtë ligë atë çfarë është (kuptohet pos Bayernit!). Por, as futbolli nuk mbetet mbrapa, ndonëse nuk është i një ritmi të njëjtë me Premier League.


 
Të gjitha lajmet nga Bundesliga