ALBERT BUNJAKI
Bunjaki i shqetësuar për fatin e 6 lojtarëve
3 September, 2016 @22:26
Gjashtë futbollistë të ftuar në përfaqësuesen e Kosovës ende nuk e dijnë nëse do të kenë të drejtë loje në ndeshjen kundër Finlandës.
Përzgjedhësi Albert Bunjaki është i shqetësuar që Samir Ujkani, Amir Rrahmani, Alban Meha, Milot Rashica, Herolind Shala dhe Valon Berisha ende presin leje nga FIFA për t’u siguruar nëse do të jenë në dispozicion të tij.
Të njëjtin problem e kishin edhe Enis Alushi, Albert Bunjaku, Sinan Bytyqi dhe Vedat Muriqi, të cilët së fundi kanë marrë përgjigjen pozitive nga FIFA.
“Kemi pasur një kamp përgatitor të shkurtër, por mjaft efikas në të cilin kemi punuar në mënyrë të qartë tekniko-taktike dhe gjërat që lidhen drejt për drejt me lojën kundër Finlandës.
Normalisht që nuk është fakt i zakonshëm që nuk dimë ende për 6 lojtarë nëse do ti kemi në dispozicion apo jo. Si do që të jetë futbollistët janë tejet të përqendruar te loja dhe ne po përgatitemi sikur të kishin drejt loje. Futbollistët duken mjaft të motivuar, ndërsa përgatitjet do t’i vazhdojmë edhe të dielën me stërvitjen e fundit në stadiumin ku edhe do të luajmë.
Në ballafaqim me Finlandën do të jemi të kujdesshëm por gjithnjë në ambiciet tona për një rezultat pozitiv. Ashtu siç e thashë i vetmi fakt shqetësues është lejimi i 6 futbollistëve nga FIFA e që po presim të ndodhë të hënën,” ka thënë Bunjaku, transmeton Federata e Futbollit e Kosovës.