KONFERENCA E BUNJAKIT
Bunjaki: Rivalë të vështirë, por mund të befasojmë
3 October, 2017 @14:16
Pas publikimit të listës së lojtarëve për dy ndeshjet e fundit eliminatore drejt Botërorit të Rusisë, përzgjedhësi Albert Bunjaki u paraqit në konferencën e zakonshme për media.
“Ndeshjet nuk do të jenë aspak të lehta, pasi që përballemi me dy skuadra pretendente për vendin e tretë, mirëpo Kosova mund të befasojë për të mirë.
Ukraina është një kombëtare shumë e fortë dhe pas Italisë është ndoshta skuadra më e përgatitur fizikisht. Ne kemi pasur një paraqitje shumë të mirë kundër tyre në ndeshjen e parë. I dimë cilësitë dhe kapacitet e Ukrainës, por ne do të japim maksimumin.
Edhe këtë herë ballafaqohemi me probleme të njëjta të udhëtimeve të shumta, pasi dy stërvitjet e para i zhvillojmë në Mitrovicë dhe më pas udhëtojmë në Shkodër, por tashmë jemi mësuar edhe me këtë ritëm. Sidoqoftë, shpresoj se në kualifikimet e ardhshme stadiumi i Prishtinës do të jetë i gatshëm dhe kombëtarja më nuk do të ketë telashe të tilla.
Si Ukraina, ashtu edhe Islanda e dinë peshën e këtyre ndeshjeve, sepse barazimi nuk iu mjafton. Kjo do të thotë se ata do të hyjnë për fitore patjetër. Mendoj se ndeshja me Ukrainën do të jetë më e hapur sesa ajo me Islandën, por duke u bazuar edhe në lojën e parë që kemi luajtur me Ukrainën, besoj se është një kundërshtar që mund të na përshtatet. Gjithsesi, duhet të kemi kujdes sepse është kundërshtar shumë i rrezikshëm, pasi lojtarët e saj vrapojnë shumë.
Mendoj se fillimi i ndeshjes është shumë I rëndësishëm, pasi nëse nuk pësojmë gol në pjesën e parë, e kemi dëshmuar edhe në ndeshjet e kaluara që më pas luajmë shumë më mirë dhe mund të ndodhë gjithçka.” - ka deklaruar Bunjaki, njofton FFK.
Ndër të tjera, ai ka shtuar që për këto dy ndeshje për shkak të lëndimeve nuk janë ftuar Enis Alushi, Herolind Shala, Benjamin Kololli e Arbër Zeneli, derisa tashmë dihet që Bernard Berisha e Valon Berisha do të mungojnë kundër Ukrainës për shkak të kartonëve.