KAPITENI I KOMBËTARES
Cana, një ditë trajner i Olympique Marseille
17 November, 2014 @11:58
Kapiteni dhe rekorderi i paraqitjeve me Shqipërinë, Lorik Cana, ka thënë për mediat françeze se përkundër që Paris St Germain e bëri atë lojtar, ai do të parapëlqente Olympique Marseille-in, nëse do t’i ofrohej mundësia të zgjidhte.
“E kam thënë që jam krenar që jam rritur në Paris dhe që kam veshur fanellën e PSG-së, por kam qenë gjithmonë një tifoz i Marseille-së që në fëmijëri. Zemra ime qëndron në Marseille, edhe pse në Paris u bëra një lojtar i vërtetë. Për këtë gjë do ta dua përgjithmonë këtë qytet dhe këtë skuadër, por nëse më duhet të zgjedh, atëherë do të preferoj Olimpique-un para PSG-së. Ku i dihet, mbase një ditë do të bëhem trajner i Marseille,” është cituar të ketë thënë Cana për mediat françeze, transmeton Panorama Sport.
Për më tepër, ai ka thënë se i duket shumë interesant Bundesliga dhe atmosfera aty dhe do të pëlqente që një ditë të kalonte në një ekip të elitës së futbollit gjerman.