LIGA E KAMPIONËVE
Celticu i eliminuar, merr pjesë në short!
8 August, 2014 @13:29
Ajo që asnjë skuadër nuk do të kishte dëshirë t’i ndodh në kualifikime për Ligën e Kampionëve - i ka ndodhur sot ekipit polak, Legia Warszawa.
Humbja në fushë
Polakët kanë mposhtur kundërshtarin e tyre në kualifikime për Ligë të Kampionëve, Celtic, në të dyja ndeshjet - brenda dhe jashtë - me rezultat të përgjithshëm 6-1. Ndeshja e parë në Poloni përfundoi 4-1 në të mirë të Legias, ndërkaq ajo e pardjeshme 0-2 në të mirë të ekipit polak.
E sot, ata nuk ishin në shortin e UEFA-së për Play-Off të Ligës së Kampionëve! Ndërsa Celticu i eliminuar - po!
Ja arsyeja.
I tërë mundi i lojtarëve të ekipit polak shkoi në pakthim, pas një gabimi administrativ.
Gabimi fatal i administratës
Bartosz Bereszynski, lojtari i Legias ka qenë i suspenduar për tre ndeshje moslojë nga UEFA-ja për këtë stinor, pasi që në ndeshjen e fundit të stinorit të kaluar ai kishte marrë karton të kuq.
Natyrisht, trajneri nuk e inkuadroi Bereszynskin në ciklin e parë kualifikues në dy ndeshje ndaj St Patrickut si dhe në ndeshjen e parë ndaj Celticut në Poloni - që do të thotë se lojtari ka vuajtur dënimin për tre ndeshje moslojë, duke e futur në ndeshjen e kthimit të zhvilluar pardje.
Mirëpo, UEFA-ja ka evidentuar se lojtari në fjalë nuk ka qenë i evidentuar si vuajtës i dënimit dhe nuk ka qenë i regjistruar si lojtar i ekipit për asnjërën nga këto ndeshje - që teknikisht do të thotë se ai nuk ka vuajtur dënimin!
Celticu ndaj Ibraimit
E kjo - eliminoi Legian automatikisht nga Liga e Kampionëve, ndërsa i dha jetë skocezëve - të cilët tani do ta kërkojnë fatin për tu futur në Ligë të Kampionëve ndaj ekipit slloven Maribor, për të cilët luan shqiptari, Agim Ibraimi.
FAKT:
Kjo nuk është hera e parë që Celticu ka kësi lloji të fatit. Skocezët kishin kaluar një fazë kualifikimi në të njejtën mënyrë kur Sioni zviceran i kishte eliminuar nga gara, por UEFA kishte evidentuar se zviceranët kanë futur një të huaj më shumë në ekip sesa që është e lejuar me rregulla në stinorin 2011/12 dhe i kishte përjashtuar nga gara; |